Në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Shëndetësisë i Republikës i Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka vizituar institucione të rëndësishme shëndetësore, me qëllim të gjetjes së rrugës së bashkëpunimit për transformimin e sistemit shëndetësor të vendit.
Me këtë rast, ministri Latifi, në misionin e tij për rindërtimin e një koalicioni të partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen dhe rindërtimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, duke u bazuar gjithherë në shtatë shtyllat e identifikuara dhe trembëdhjetë qendrat e ekselencës, vizitoi Universitetin e Arizonës, Kolegjin e Mjekësisë, Qendrën e Integruar dhe Ndërdisiplinore të Simulimit dhe Edukimit Teknologjik të Universitetit të Arizonës.
Po ashtu, ministri Latifi ka vizituar edhe udhëheqjen e Qendrës Kërkimore dhe Qendrën e Traumës së Nivelit të Sistemit të Kujdesit Shëndetësor Benner në Tucson, Arizona.
Në të gjitha këto takime në funksion të bashkëpunimit dhe zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, janë diskutuar dhe palët janë dakorduar për të bashkëpunuar në aspekte të ndryshme të edukimit, kërkimit dhe trajnimit.
Ministri Latifi, tha se përfaqësuesit e institucioneve të lartpërmenduar kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar dhe bashkëpunuar me shtetin e Kosovës, në mënyrë që shërbimet shëndetësore të avancohen sipas standardeve të duhura, e që qytetarët të jenë të kënaqur me shërbimet shëndetësore të ofruara.
Vizita e ministrit Latifi, në SHBA, po realizohet me qëllim të arritjes së bashkëpunimit konkret mes dy vendeve në shëndetësi dhe marrjes së eksperiencave për zhvillimin dhe transformimin e shëndetësisë së kosovës që është edhe qëllimi i ministrit Latifi në këtë mandat në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.