Londër, 5 shtator 2022 – Për jo pak veta, Liz Truss është një figurë e pëlqyer, por për anëtarët e Partisë Konservatore në pushtet që zgjedhin se kush duhet të zëvendësojë Boris Johnsonin në krye të partisë, kthimi i saj në mbështetëse të apasionuar e BREXIT-it apo daljes së Britanisë nga BE-ja dhe zotimi për ulje taksash, janë arsyet që e shtynë atë drejt kreut të ardhshëm të qeverisë britanike.
Ajo gjithashtu njihet edhe për qëndrime të ashpra ndaj Rusisë dhe Kinës.
“Tani është koha që ne duhet t’i bëjmë gjërat ndryshe. Duhet të jemi të guximshëm”,tha zonja Truss gjatë fushatës për postin e kreut të Partisë Konservatore britanike.
Gara e fituar prej saj mund të ketë lidhje edhe me faktin që ishte përballë ish ministrit të financave, Rishi Sunak i cili akuzohet nga jo pak veta si arsyeja e rebelimit kundër shefit të tij, Boris Johnson.
o pak kishin frikë se zoti Sunak gjithashtu nuk do të ishte në gjëndje t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme përballë Partisë Laburiste.
Megjithëse thotë se është konservatore e vërtetë, ngjitja e saj në krye të kësaj partie nuk ka qenë një rrugë e drejtpërdrejtë.
Vetë zonja Truss i përshkruan prindërit e saj si majtistë. E ëma e cila ka punuar si ndihmës mjeke dhe mësuese, ndërsa i ati profesor matematik, e merrnin atë në demonstrata kundër kryeministres së parë grua britanike, Margaret Thatcher.
Tani, ish kryeministrja konservatore Thatcher është idhulli i zonjës Truss.
Derisa ka qenë në Universitetin e Oxfordit, ajo ka qenë pjesë e Partisë Liberal Demokrate. Në atë kohë, zonja Truss ishte kritike edhe ndaj monarkisë britanike.
Kryeministrja e ardhshme britanike e përshkroi konvertimin e saj në konservatorizëm si një “rebelim” të nxitur nga besimi se njerëzit “duhet të kenë sukses duke u mbështetur në meritë”.
Në referendumin e vitit 2016, zonja Truss votoi që Britania të mbetet në BE. Por ajo ndryshoi mendje pasi britanikët votuan për dalje nga blloku evropian, duke thënë se Brexit ofroi një mundësi për të “ndryshuar mënyrën se si funksionojnë gjërat”.
“Kjo do të thotë të shfrytëzosh sa më shumë mundësitë pas Brexit. Unë do t’i heq të gjitha ligjet e BE-së nga librat tanë të statutit deri në fund të vitit 2023”, tha zonja Truss.
Që kur mori detyrën e Sekretares së Jashtme në shtator të vitit të kaluar, zonja Truss ka qenë aktive në rrjete sociale duke postuar fotografi nga puna e saj, nga qëndrimi në Sheshin e Kuq të Moskës me një kapele leshi, pavarësisht se ishte relativisht ngrohtë deri tek qëndrimi mbi një tank në Estoni.
Ajo është rreshtuar si kritike e ashpër e presidentit rus Vladimir Putin.
“Tani nuk është koha për t’u dorëzuar. Putini duhet të dështojë. Historia na tregon se agresorët kuptojnë vetëm një gjë, forcën. Ne e dimë se nëse nuk bëjmë mjaftueshëm tani, agresorët e tjerë anembanë botës do të trimërohen”, tha ajo pas takimit në Londër me homologun amerikan, Antony Blinken.
Edhe disa prej mbështetësve më ngurrues të saj thonë se ajo është dinamike, nuk ndalet kurrë dhe i kupton shumë mirë detajet e politikave.
Disa konservatorë thonë se një nga dobësitë më të mëdha të zonjës Truss stilin e saj të komunikimit, duke e përshkruar atë si të ngurtë. .
Të tjerë besojnë se ajo mund të sjellë stabilitet pas tre viteve të trazuara të Boris Johnsonit në pushtet.
(Zëri i Amerikës)