Programi i njohur hapësinor i Rusisë turpërohet sërish

Më 18 gusht 1976, një anije kozmike katër metra e gjatë, e quajtur Luna-24, zbarkoi në Mare Crisium, një rrafshinë në hemisferën veriore të Hënës. Katër ditë më vonë, mjeti i ndërtuar nga sovjetikët u kthye në tokë, me një mostër të çmueshme të dheut hënor, një pjesë të së cilës shkencëtarët sovjetikë e shkëmbyen më vonë me kolegët e tyre në NASA, në emër të bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar.

Tani, gati 47 vjet më vonë, inxhinierët rusë u përpoqën ta përsërisin këtë arritje, duke synuar ta zbarkonin një anije kozmike të mbushur me instrumente shkencore në hemisferën jugore të Hënës, me qëllim për ta studiuar për një vjet sipërfaqen hënore.

Misioni, Luna-25, dështoi në mënyrë spektakolare nëntë ditë më vonë, më 20 gusht, kur anija kozmike “u shua si pasojë e përplasjes në sipërfaqen e Hënës”, tha Agjencia ruse të Hapësirës, Roskosmos.

Ky incident ishte më i fundit në një varg dështimesh, turpërimesh dhe skandalesh që e kanë goditur Roskosmosin në dekadën e fundit, duke e vënë në pah një rënie të një industrie të njohur të hapësirës, arritjet pioniere të së cilës në vitet ’50 dhe ’60 janë vetëm një kujtim i moçëm tani.

Sukseset e kaluara

Ato suksese të mëparshme përfshijnë mjetin e parë të ndërtuar nga dora e njeriut që fluturon drejt Hënës, mjetin e parë që rrëzohet, dhe më në fund, më 1966, mjetin e parë që zbarkon në Hënë. Të gjitha ishin pjesë e misioneve të projektit Luna. Misioni i tillë i fundit, Luna-24, u kthye në Tokë me mostra të dheut hënor më 22 gusht 1976.

“Ky është një tregues tjetër sesi programi hapësinor rus/sovjetik është përkeqësuar ndër vite”, tha Leroy Chiao, ish astronaut i NASA-s dhe ish-komandant i Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Ai, po ashtu, nxori një paralele me telashet me të cilat është përballur ushtria ruse në luftën e saj kundër Ukrainës.

“Ata i kanë pasur disa dështime me automjetet e tyre Soyuz dhe Progress së fundmi. Bota i ka parë telashet e shumta të tyre me ushtrinë, të cilat u theksuan nga problemet që po i hasin në luftën e tyre në Ukrainë”, theksoi Chiao. “Fakti se ata nuk mund ta kryejnë një mision në Hënë siç e bënë më 1976, flet shumë për gjendjen e industrisë së tyre të hapësirës ajrore sot”.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, gara hapësinore SHBA-Bashkim Sovjetik hapi rrugën për një bashkëpunim më të madh mes Moskës dhe Uashingtonit – dhe më vonë, garë më të madhe mes kombeve të tjera për t’u kthyer në Hënë.

Rusia dëshiron të kthehet në sipërfaqen hënore që nga vitet 2000. Së fundmi, ajo bëri përpjekje për t’i bashkuar forcat me Kinën për ndërtimin e një baze të përbashkët hënore, pasi programi i kësaj të fundit ka shënuar përparim në vitet e fundit. Pekini me sukses e zbriti një anije kozmike në Hënë për herë të parë në janar të vitit 2019.

India, ndërkohë, planifikon ta zbarkojë anijen e vet kozmike, Chandrayaan-3, në polin jugor të Hënës më 23 gusht. Ky është misioni i saj i tretë. E Shtetet e Bashkuara janë duke e udhëhequr një program, i cili quhet Artemis Accords, për kthimin e njerëzve në Hënë kah viti 2025.

Nuk ishte vendimi “më i mirë”

Luna-25 do të kishte qenë anija e parë kozmike e Rusisë në Hënë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik – dhe e para që nga viti 1976.

Roskosmos e mblodhi një panel hetues në përpjekje për ta gjetur shkaktarin e dështimit. Drejtori i agjencisë, Yury Borisov, tha në televizionin shtetëror më 21 gusht se “shkaktari kryesor” ishte se motorët të cilët duhej ta vendosnin anijen kozmike në një orbitë të parazbarkimit qëndruan ndezur për 84 sekonda, në vend të 127 sekondave të nevojshëm.

Një shkencëtar rus sugjeroi në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti, se inxhinierët i kishin ditur problemet e misionit por nuk i kishin cilësuar si të mëdha.

“Kishte telashe. Ato nuk ishin aq të rëndësishme, por kishte shenja, të themi, shqetësuese, por të gjithë shpresonin se ata do të ishin në gjendje t’i ndreqnin ato”, tha Natan Eismont, hulumtues hapësinor në Akademinë e Shkencave të Rusisë. “Nëse kemi devijim pak më të madh seç pritej, atëherë ky është fakt alarmues, por me sa duket, nuk ishte mjaft alarmues për të marrë vendim radikal” për shtyrjen apo anulimin e zbarkimit.

“Sa keq që kishte kohë dhe vendimi për atë sesi të vazhdohej tutje nuk ishte më i miri”, tha ai për RIA Novosti.

“Ne e kemi humbur disi kompetencën”

Edhe Aleksandr Zheleznyakov, inxhinier i raketave, tha se nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar dështimin, por la të kuptohej se industria ruse e hapësirës nuk është në hap me teknologjinë e re.

“Shkenca ka përparuar, dhe teknologjia ka ecur përpara – fatkeqësisht, ne e kemi humbur disi kompetencën tonë ndër vite, për fluturime ndërplanetare dhe për zbarkime në planetët e tjerë”, tha Zheleznyakov për mediumin RBK.

Për vazhduesit e kamotshëm të përpjekjeve hapësinore të Rusisë – me dhe pa pilotë – rrëzimi i Luna-25 ishte jehonë e një përpjekjeje tjetër ambicioze të para më shumë se një dekade. Më 2011, inxhinierët rusë e nisën një anije kozmike pa pilot, e quajtur Fobos-Grunt, nga kozmodromi Baikonur në Kazakistan, në një rrugëtim dyvjetor në Mars.

Por shtytësit e anijes kozmike dështuan pas nisjes, dhe ajo fluturoi mbi planetin Tokë për dy muaj para se të digjej dhe të rrëzohej në Oqeanin Paqësor.

Pasi Rusia e uzurpoi Gadishullin e Ukrainës, Krimea, më 2014, vendet e Perëndimit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, filluan të vendosin sanksione ndaj kompanive ruse dhe zyrtarëve të saj të lartë.

Prapëseprapë, NASA ia doli ta vazhdonte partneritetin me Rusinë, duke e udhëhequr së bashku Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar dhe duke e bërë kontraktimin e fluturimeve të astronautëve dhe dërgesave në dhe nga stacioni. Agjencia Hapësinore e SHBA-së është tani më pak e varur nga anijet kozmike ruse, për shkak të sukseseve të kompanive private si, SpaceX, e cila po siguron një numër të madh të kontratave për furnizim dhe transport.

Në vitet e fundit, Roskosmos është goditur nga një numër i vazhdueshëm i skandaleve dhe incidenteve. Kjo përfshin edhe një vrimë, e bërë nga dora e njeriut dhe ende e pashpjeguar, që u gjet në një modul të anijes kozmike të ndërtuar nga Rusia në stacion; një zbarkim emergjent e pikëllues i anëtarëve të ekuipazhit gjatë kthimit në Tokë; dhe një skandal i uljes në pozitë të një kozmonauti të respektuar.

Më 2021, testimi i një arme anti-satelitore nga ushtria ruse shpërndau mbetje në një orbitë të shpejtësisë së lartë përreth Tokës, duke e rrezikuar stacionin. Megjithëse faji i mbeti forcave ruse të hapësirës ajrore, ky incident e minoi edhe më shumë besimin në industrinë hapësinore ruse.

Pasi Rusia i dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, marrëveshjet e biznesit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar – për shembull për lëshimin e satelitëve për reklamë dhe gjenerimin e të hyrave – pothuajse u ndërprenë tërësisht.

Numri i madh i skandaleve, ndër to edhe raportet publike për korrupsion të madh në një kozmodrom të ri të quajtur Vostochny, ndodhën nën udhëheqjen e Dmitry Rogozin, një politikan nacionalist dhe ish-ambasador në NATO, deklaratat e shpeshta bombastike të të cilit i tensionuan marrëdhëniet me NASA-n

Në korrik 2022, pesë muaj pas pushtimit të Ukrainës, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e shkarkoi Rogozinin, duke e zëvendësuar me Borisovin, një teknokrat i cili ishte zëvendëskryeministër në atë kohë.

Së fundmi, Roskosmos u zu në një mosmarrëveshje për një kontratë me Kazakistanin për operacionet në Baikonur dhe për një objekt të ri për lëshimin e një rakete të gjeneratës së ardhshme – pa të cilën përpjekjet e Rusisë për të siguruar më shumë të hyra nga lëshimet komerciale të satelitëve do të jenë në rrezik.

Për shkencëtarët veteranë si Mikhail Marov, i cili punoi me dekada në programet sovjetike dhe ruse të eksplorimit hapësinor, rrëzimi i Luna-25 ishte zemërthyes.

“Është trishtim që ne nuk ishim të suksesshëm në zbarkimin e anijes kozmike”, tha ai për tabloidin Moskovsky Komsomolets.

“Për mua, mbase, kjo ishte shpresa e fundit ta shihja ringjalljen e programit hënor”.

(REL)