Projekti i qeverisë për “pasaportat e arta” ngre shqetësime për sigurinë

Qeveria shqiptare i hapi dritën jeshile një kontrate koncesionare për programin e shtetësisë për investim, një projekt që sipas ekspertëve rrezikon të shkaktojë probleme të sigurisë dhe mund ta vendosë vendin në pozitë të vështirë përballë Bashkimit Europian.

Blerina Gjoka, BIRN

Qeveria shqiptare avancoi një ide të vjetër të kryeministrit Edi Rama për të shitur pasaportën shqiptare për shtetas të huaj dhe të pasur që duan të investojnë në Shqipëri, pavarësisht kritikave të përsëritura të Bashkimit Europian se kjo skemë bie në kundërshtim me vlerat e Unionit.

Përmes një vendimi të miratuar më 29 korrik, qeveria i hapi rrugën punësimit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e e pasaportës shqiptare në botë.

Vendimi parashikon “zbatimin e procedurave të koncensionit partneritet publik/privat në programet e shtetësisë”; duke e futur këtë sektor si fushë të re në ligjin e koncensioneve.

Bledar Skënderi, drejtor i Agjencisë së Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë, AHPVSH, i tha BIRN se ky vendim shënon fillimin e ndërtimit të programit të shtetësisë për investim.

“Pas këtij vendimi do të ngrihet një grup pune në Ministrinë e Brendshme që do të hartojë programin. Më pas do të hapet një garë ndërkombëtare, ku do të zgjidhet kompania fituese në bazë të ekspertizës dhe përvojës që ofron në këtë fushë,” shpjegoi Skënderi.

Ideja e qeverisë shqiptare për të aplikuar skemën e shtetësisë përmes investimit – e njohur ndryshe si “pasaporta e artë” është kritikuar ashpër ndaj Bashkimi Europian në progres-raportin e vitit 2021.

“Skema të tilla paraqesin rrezike në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë,” thuhet në raport.

Por përfaqësuesi i qeverisë, Skënderi, i konsideroi si paragjykuese shqetësimet e Brukselit, ndërsa shtoi se u kishte shpjeguar përfaqësuesve të delegacionit të BE-së në Tiranë garancitë që do të ofronte procesi.

“Është proces i paragjykuar, por do i japim të gjitha garancitë,” tha Skënderi.

“BE thotë se vlerat europiane nuk janë në shitje, por ndërkohë në Francë hyjnë 100 mijë veta pa u verifikuar,” shtoi ai.

Problemet e sigurisë

Shqipëria është vendi i tretë i Ballkanit pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që po bëhet gati të aplikojë pasaporta përmes investimit – por zbatimi i këtyre programeve në shtete të tjera ka treguar se sfidat e sigurisë janë të mëdha.

Fabian Zhilla, ekspert me Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional i tha BIRN se rreziku i përfitimit të personave të përfshirë në krimin e organizuar apo në terrorizëm është real edhe për Shqipërinë.

“Ky projekt ka disa probleme,” tha Zhilla, ndërsa veçoi mungesën e kapaciteteve për verifikim dhe vendosja e Shqipërisë në një pozitë të vështirë në raport me BE-në në procesin e integrimit.

“Sa të afta janë institucionet tona që të bëjnë filtrimin e kontigjenteve që nuk do të duam të vijnë këtu?!”- pyet Zhilla. Sipas tij, agjencitë shqiptare nuk bëjnë dot verifikimin e pronave të kriminelëve shqiptarë, duke vënë në dyshim aftësinë për të verifikuar kriminelët ndërkombëtarë.

Sipas tij, shitja e pasaportave mund t’a bëjë Shqipërinë një target të vendeve për të cilat nuk ka as informacione bazike, si për shembull Afrika.

Ekspertët shohin gjithashtu përfitime minimale pas kësaj skeme në raport me kostot që mund të shkaktojë në procesin e integrimit me BE.

Arben Malaj, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe ish-ministër i Financave tha se nuk besonte se ky program do të fuste kapitale të mëdha me ndikim në ekonomi.

Malaj renditi gjithashtu disa nga risqet që mbart projekti i qeverisë.

“Risqet potenciale kanë të bëjnë së pari me sigurinë kombëtare, pastaj me pastrimin e parave si kanal,” tha Malaj, duke sjellë në vëmendje rastin e biznesmenëve indianë që përfituan nënshtetësinë shqiptare ndërsa ishin të dënuar në vendin e tyre për pastrim parash.

Në shkurt 2018, Nitin dhe Chetankumar Sanderasa u pajisën me nënshtetësi shqiptare nga Presidenti i Republikës, pavarësisht se kërkoheshin nga India për krime ekonomike.

“Këto pasaporta janë të arta vetëm për përfituesit e tyre, po në impaktin e tyre në ekonomi, sidomos në sektorët prioritarë, përfitimi është i reduktuar,” shtoi Malaj.

Sipas Malajt, zbatimi i programit për shitjen e shtetësisë do ta vendoste Shqipërinë në një pozitë të vështirë përballë Bashkimit Europian.

“Qëndrimet kritike të BE duhen respektuar,” tha Malaj, ndërsa theksoi se vendi duhet të bëjë kujdes që nismat të mos bien ndesh me legjislacionin europian.

Skënderi nga Agjencia e Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë i tha BIRN në përgjigje të shqetësimeve për sigurinë se qeveria mund të kontraktojë ‘një kompani të dytë për certifikimin e aplikantëve”. Megjithatë, ai shtoi se ky koncesion nuk do të rëndonte mbi financat publike.

“Zero. Kompania fituese do të paguhet nga aplikantët që do të shpallen fitues, do të paguhet me përqindje,” tha Skënderaj.

Qeveria nuk ka vendosur ende një çmim për pasaportën shqiptare, e cila renditet në vendin e 53 në indeksin botëror Henley  dhe ofron udhëtim pa viza në 115 shtete të botës.

(Reporter.al)