Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk do të rihapet sipas parashikimit, në tetor të këtij viti. Punimet restauruese janë ndërprerë që prej gati tre javësh, pasi nevojiten disa ndryshime nga projekti fillestar.
“Sistemimi i ardhshëm i grupit të specialistëve të Institutit të Arkeologjisë kërkon ndryshime në projektin e miratuar, si dhe ndërtimin e një godine të përbashkët për punën e tyre dhe për fondin prej qindra objektesh arkeologjike,“ tha drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit, Alban Ramohito.
Sipas Ramohitos, këto ditë vazhdon procedura për zgjidhjen më të mirë arkitektonike të ndërtimit të ardhshëm, i cili parashikohet të ngrihet në oborrin e pasëm të Muzeut Arkeologjik. Ai shtoi gjithashtu se po kërkohet shtimi i vlerës së investimit të parashikuar në projektin fillestar të restaurimit.
Restaurimi i Muzeut Arkeologjik po realizohet me një fond prej 348 milionë lekësh nga Bashkimi Europian. Zhvillues i projektit është Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve, UNOPS, ndërsa partner në realizim është Ministria e Kulturës.
Arkeologia Brikena Shkodra i tha BIRN se zgjidhjet për sistemimin e akeologëve dhe fondeve janë kërkuar kohë më parë.
Hapësirat pranë Mauzoleut të Dëshmorëve nuk mjaftonin, ndërsa ato të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, QKF, nuk gjetën miratimin e pushtetit vendor të Durrësit. “Krejt natyrshëm, mjedisi më i përshtatshëm mbeti vetë sipërfaqja pranë godinës së muzeut arkeologjik,” tha Shkodra.
Ajo shtoi se përveç objekteve që ka ekspozita e katit të parë, rreth 16.500 objekte të tjera që janë në fonde duhen studiuar dhe kataloguar.
Prof. Shkodra e ka ndjekur të gjithë praktikën për një zgjidhje përfundimtare nga Ministria e Kulturës, e cila administron muzeun, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanalogjike, ku arkeologët zhvillojnë jetën shkencore paralelisht me Institutin e Arkeologjisë.
Arkeologët deri tani ishin sistemuar në anekset e Muzeut që në hapjen e tij në vitin 2002.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit iu nënshtrua një restaurimi të mëparshëm në vitet 2011-2013 me një investim prej rreth 1 milion USD nga qeveria shqiptare, ndërsa pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili dëmtoi rëndë edhe mjaft objekte të trashëgimisë kulturore, BE financoi një tjetër restaurim të objektit që ka marrë emërtimin Muze Kombëtar Arkeologjik.
Në periudhën tranzitore të këtiij procesi, një pjesë e objekteve arkeologjike janë sistemuar në konteinerë dhe në oborrin e muzeut, ndërsa rreth 3 mijë objekte që i përkasin periudhës së antikitetit kanë gjetur vend në një nga sallat e shfrytëzuara më parë për leksione dhe takime.
Drejtori Ramohito theksoi gjithashtu se po punohet paralelisht për shpronësimin e dy familjeve durrsake, të cilat vazhdojnë të kenë hipotekën për një pjesë të truallit në oborrin e Muzeut, si dhe largimin e një tjetër familjeje që ka ndërtuar një banesë pa leje në pjesën e pasme të godinës.