Më 1943 Selma Riza u vendos në Prizren, ku punoi si avokat dhe zhvilloi veprimtari patriotike, të cilat duhej të ndihmonin për realizimin e qëllimit përfundimtar. Bashkë me S. Aliun [mbase Sylejman Drini], B. Spahiun, T. Zajmin, I. Fehmiun, S. Dobroshin, K. Margjinin, F. Perollin, L. Çunin, D. Celinën, Sh. Veliun, T. Jakupin, H. Lumën, D. Idrizin krijuan Qendrën e Vogël të Studimeve Kosovare, me degët në Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë. Ja vendimi:
Zotni Ministër
Kemi nderin me ju njoftue se me datën 9 të muejit vazhdues, në ndërmarrjen e Sylejman Aliut, drejtor shkolle, e të Selman Rizës, përfaqsues në gjyq, si dhe me perkrahjen e Beqir Spahiut, inspektor arsimi, Tahir Zajmit, federal e të Ibrahim Fehmiut, këshilltar epror asht themelue nji
QENDËR E VOGËL STUDIMESH KOSOVARE
pranë ispektorisë s’Arsimit në Prizren me Kryetar Beqir Spahinë, me sekretar Selman Rizën, me bibliotekës Filip Gashin dhe me arkëtar Sylejman Alinë, si dhe me anëtarë themelues Tahir Zaimin, Ibrahim Fehminë, Kol Margjinin, drejtor gjimnazi, Luk Çunin, Sokol Dobroshin, Durmish Celinën, Ferid Perollin, Shefqet Velinë, Talat Jakupin, Hysen Lumën e Daut Idrizin.
Qëllimi i kësaj Qendre të Vogël të Studjimevet kosovare do të jetë me dhanë shkasin dhe me sigurue mjetet e duhun intelektualvet dhe sidomos arsimtarëvet fillorë e të mesëm që të studjojnë në vend historinë, gjeografinë dhe dialektin e Kosovës.
Studjimi gjeografik do të bajë të njoftun Shqiptarëvet relievin dhe prodhimtarinë e Kosovës si edhe mënyrën e jetesës të Kosovarëvet mjaft të panjoftun jo vetëm prej Shqiptarëvet të vjetër por edhe prej vetë Kosovarëvet.
Studjimi dialektal tue qitë në dritë veçoritë ekskluzive të së folmes së Kosovës do të kontribuojë me vertetue shkencorisht thezën shqiptare të vazhdimësisë së pandërpreme t’autoktonisë së Kosovarëvet.
Studjimi historik do të zajë fill me Lidhjen e Prizrenit por do të mirret sidomos me perjodën gjatë së cilës fati i Kosovës u ndodh i shkëputun prej fatit të pjesës tjetër të Shqipnisë Ethnike don me thanë prej vitit 1912 deri në vitin 1940.
Në përbamjen e zyrës së Qendrës asht ndjekë parimi që kryesija e kësaj të sigurohet kurdo herë prej titullarit t’inspektorisë s’arsimit në Prizren kurse detyra e sekretarit të mund të mbesohet edhe ndonji anëtari jo arsimtar.
Për sa i përket anëtarësisë, pa përjashtue, perkundrazi gjith tue mirëseardhun pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin veprues të të gjith intelektualëvet tjerë, anëtarët e Qendrës do të jenë kryezotnisht arsimtarë fillorë e të mesëm.
Detyrë e Zyres së Qendrës do të jetë me ba të mundshëm e të prodhimshëm studjimin e Kosovës prej të tri pikëpamjevet të sipërshenjueme tue sajue një Bibliothekë dhe një Dokumentarium Kosovarë burimesh shqiptarë dhe të huejsh dhe tue botue herë mbas here në broshura popullore përfundimet e mbramë të studjimevet të kryeme.
Fondi i nevojshëm për sajimin e bibliothekës dhe të dokumentariumit si edhe për botimin e studjimevet do të konshtituohet me subvensjone bashkiakë dhe me kontribute privatë të vullnetshëm.
Detyrë gjithashtu e Zyrës së Qendrës do të jetë me dhanë shkas që të themelohet për të njajtin qëllim e me të njajtin statut nga një degë në Gjakovë, Pejë, Prishtinë e Mitrovicë. Edhe në Tiranë ku disponohen bibliotheka t’interesantshëme e personalitete të vyeshëm për studjimin e Kosovës, duhet të themelohet një këso dege.
Degët që do të kenë po ato burime t’ardhunash sikurse Qendra, do t’i përsjellin kësaj eksedentet e budjetevet te tyne.
Tue dhanë shkas kështu bashkëpunimit të bashkërendshëm të save janë në gjendje me kontribuue në studjimin e problemevet sidomos politko-ethnikë të Kosovës për çfrytsimin e perfundimevet të studjimevet vetiakë Qendra e Vogël e Studjimeve Kosovare do t’i sjelli ketij vendi një shërbim patriotik të një randsije të dorës së parë.
Me mish e me shpirt, pa pikë pertese psyhike dhe me të tanë duresën mendore të mundshëme do t’i kushtohemi kryemjes së kësaj pune që lirisht e vullnetisht kemi marrë përsipër tue dhanë këtu fjalën e burrave, besën e Shqiptarëvet se për shka e për sa të mvaret prej nesh, nuk kemi me pranue kurrën e kurrës me ngelë në gjysmë t’udhës por për hir të qëllimit të shenjtë dhe në saje të solidarësisë s’anëtarëvet do të kapemi shkallë shkallë deri mu në skajin e paracaktuem.
Ju grishim pra edhe Zotninë t’Uej me na ndihmue me dashamirsinë t’Uej vepruese e madje kontributin t’Uej personal moral e materjal për ta ba sa ma të plotë e të saktë mbërritjen e një qëllimi kaq jetësor për Kosovën e prandej kaq naltësisht patriotik për mbarë Shqipninë.
Kryetar (Selman Riza) Sekretar (Beqir Spahiu)
i Qendrës së Vogël të Studjimevet Kosovare
Prizren më 11/1/1943
(Marrë nga “VEPRA 6” e Selman Rizës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve Kosovës në Prishtinë, përgatiturr pë shtyp nga akademik Rexhep Ismajli)