Prokurorët e SPAK-ut s’janë ankuar për lirimin e Astrit Avdylajt të dosjes “339”

Tërheqja e njëpasnjëshme e gjyqtarëve, largimi me leje lindjeje si dhe ngathtësia e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të zgjidhur njëherë e mirë trupën gjyqësore, duket se ka sjellë lirimin e Astrit Avdylit, njërit prej emrave më të lakuar nga media dhe politika në dosjen “339”

Elton Qyno, Ora News

Lirimi i Astrit Avdylit, një prej të akuzuarve kryesorë të dosjes “339”, i cili doli nga burgu një muaj më parë, ka ardhur si pasojë e tërheqjes së gjyqtarëve dhe për pasojë ndryshimit të trupave gjykuese. Në vendimin e zbardhur, i cili publikohet nga Ora News, thuhet se Avdyli bashkë me dy të pandehur të tjerë janë mbajtur në qeli jashtë afateve. Nga ana tjetër prokurorët e SPAK nuk kanë kundërshtuar lirimin dhe ende nuk kanë bërë apelim.

Lirimi i Astrit Avdylit dhe dy miqve të tij, Jasin Avdyli dhe Denis Llatfiut, të cilët akuzohen për trafik droge në dosjen me numër “339”, rezulton të jetë bërë për shkak të sabotimit të procesit nga gjykatësit.

Tërheqja e njëpasnjëshme e gjyqtarëve, largimi me leje lindjeje si dhe ngathtësia e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të zgjidhur njëherë e mirë trupën gjyqësore, duket se ka sjellë lirimin e Astrit Avdylit, njërit prej emrave më të lakuar nga media dhe politika në dosjen “339”.

Ora News publikon vendimin e gjykatës së posaçme e cila më 26 korrik që nxori nga “arresti në burg” në “arrest shtëpie”, tre personazhet e akuzuar për vepra penale të rënda.

Avdyli dhe dy miqtë e tij Jasin Avdyli alias Kala, e Denis Llatfiu, rezulton të jetë arrestuar në datën 21 tetor 2018.Ndërsa në 26 korrik 2021, të tre së bashku u liruan nga qelia.

Dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, gjatë përfaqësimit të akuzës në Gjykatë rezulton se nuk kanë bërë asnjë oponencë për kundërshtimin ose rrëzimin e kërkesës së tre të pandehurve për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Sipas vendimit të Gjykatës, dy prokurorët Mara dhe Prençi, vlerësimin e kërkesës e kanë lënë në dorë të Gjykatës. 

Nga ana tjetër dy prokurorët mësohet se nuk kanë bërë ankim kundër lirimit të Avdylajt brenda afatit 5 ditor siç e kërkon dhe ligji.

Ndërkohë nga analizimi kalendarik i afateve të pezulluara, ka rezultuar se për tre të pandehurit koha është tejkaluar me 1 muaj e 21 ditë.

Sipas Gjykatës tre të pandehurit kanë qëndruar në burg, jashtë afateve ligjore.

Për këtë arsye në datën 26 korrik 2021, treshja gjykuese Iliriana Olldashi, Sokol Pina dhe Erjon Bani, vendosën të pranojnë kërkesën e tre të pandehurve, duke zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Në vendimin e tyre, gjykatësit thonë se: “…të pandehurit Astrit Avdyli, Jasin Kala alias Avdyli dhe Denis Llatfiu, të mos largohen nga banesat e tyre të ndodhura në Shijak. Si dhe të mos komunikojnë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të…”.

Ndërsa në një pikë tjetër të vendimit, gjykata thotë se: “…për mbikqyrjen e vazhdueshme të kësaj mase sigurimi ngarkohet policia gjyqësore, që mbulon vendbanimin e të pandehurve…”

Që në këtë rast do jetë komisariati i policisë Shijak, ai që do kontrollojë nëse tre personat do dalin nga shtëpia apo jo.

Largimi i gjyqtarëve e një KLGJ jo vigjilente

Në 17 janar 2020, i pandehuri kryesor i dosjes me numër “339”, Astrit Avdyli alias Balliu dhe dy miqtë e tij, Jasin Avdyli e Denis Llatfiu, janë dërguar në Gjykatën e Posaçme si persona të akuzuar për vepra penale të rënda, që lidhen me trafikun e drogës, grupin e strukturuar kriminal etj.

Ndërkohë në 8 Maj 2020 gjyqtari i seancës paraprake ka vendosur kalimin për gjykim në themel të dosjes penale, ku të pandehur ishin pikërisht këta persona dhe të tjerë.

Gjatë gjykimit në themel në datën 26 tetor 2020, disa nga të pandehurit si Altin Avdyli, Shkëlqim Avdyli dhe persona të tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar, duke pretenduar ndarjen e dosjes penale. Kjo për shkak se Astrit Avdyli, vëllai i Altinit, kishte hequr dorë nga kërkesa për gjykim të shkurtuar, duke kërkuar gjykimin e zakonshëm së bashku me dy të pandehurit e tjerë, Denis Llatfiu dhe Jasin Kala.

Gjykata pranoi kërkesën e të pandehurve dhe e ndau çështjen në dy dosje. Gjykimi ndaj të pandehurve Astrit Avdyli, Jasin Kala, Denis Llaftiu vijoi nga i njëjti trup gjykues i cili gjykonte paralelisht të dyja çështjet e ndara në gjykime të veçanta me procedura të ndryshme gjykimi atë të zakonshme dhe procedurën e shkurtuar.

Mirëpo në datën 1 shkurt 2021 Gjykata dha vendimin përfundimtar në çështjen ndaj të pandehurve Altin Avdyli etj. Ndërsa trupi gjykues dha dorëheqjen nga çështja ndaj të pandehurve Astrit Avdyli, Jasin Kala dhe Denis Llatfiu.

Pas pranimit të dorëheqjes së gjyqtarëve (trupit gjykues) me vendimin e datës 21 janar 2021 nga kryetari i Gjykatës së Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, çështja ndaj të pandehurve Astrit Avdyli, Jasin Kala, Denis Llaftiu, Fatos Llaftiu etj, është rihedhur në shortin e datës 3 shkurt 2021 duke përzgjedhur gjyqtaren kryesuese.

Trupa gjykuese kishte mungesë të dy gjyqtarëve, përzgjedhja e të cilëve kërkonte vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), pasi gjyqtarët e tjerë të Gjykatës së Posaçme kishin shkak papajtueshmërie në këtë gjykim. Në datën 24 shkurt 2021 KLGJ-ja, ka caktuar dy gjyqtarë të tjerë në këtë dosje.

Ky trup gjykues tre anëtarësh ka pasur gjatë ecurisë së gjykimit, në kohë të ndryshme, riformatim të përbërjes së tij, për shkak të dorëheqjes së një prej gjyqtarëve, gjyqtarit Erion Çela, pas gjykimit të bashkëtëpandehurve në procese të tjera gjykimi dhe zëvendësimi i të cilit kërkonte përsëri vendimmarrje të KLGJ, për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

Me vendimin e datës 24 shkurt 2021, KLGJ ka caktuar si gjyqtar në çështjen objekt gjykimi gjyqtarin Petrit Çomo,i cili kishte shkak papajtueshmërie për shkak të gjykimit të bashkëtëpandehurve në procese të tjera gjykimi.

Petrit Çomo, ka paraqitur kërkesën e dorëheqjes dhe është pranuar në 11 Maj 2021. Ndërkohë në 12 Maj 2021 nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është caktuar në këtë çështje në cilësinë e anëtarit, gjyqtari Sokol Pina, i cili ka plotësuar trupën gjykuese.

Mirëpo sërisht çështja është futur në kolaps për shkak të marjes së lejelindjes së gjyqtares tjetër anëtare në këtë trup gjykues, Ornela Naqellari. Në vend të saj është deleguar gjyqtari Erion Bani, i cili prej datës 21 qershor 2021 u bë pjesë gjykuese e këtij procesi penal.

Ndërsa në 26 korrik 2021, Gjykata e Posaçme vendosi të lirojë nga burgu dhe ti mbyllë në “arrest shtëpie” Astrit Avdylin alias Balliu, Jasin Avdyli alias Kala dhe Denis Latfiu.