Prokurorët e Speciales kërkojnë 35 vjet burg për Sali Mustafën

Beograd, 13 shtator 2022 – Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se Kosova është shtet i pavarur.

“Çfarëdo që dëshironit arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale dhe kushdo që është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim”, tha Kamberi gjatë diskutimit për dialogun me Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

Ai iu kundërpërgjigj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Serbia nuk do ta njohë Kosovën për aq kohë sa ai të ketë ndikim

“Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, theksoi Vuçiq gjatë paraqitjes së raportit për ecurinë e dialogut.

Kamberi tha se serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta, të garantuara me Kushtetutë, dhe kanë përfaqësim në Kuvend dhe në Qeveri, ndërsa këto të drejta nuk i kanë shqiptarët dhe minoritetet tjera në Serbi.

Ai tha se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë është një ndër sfidat më të vështira shtoi se është obligim i Vuçiqit ta udhëheqë Serbinë “drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane”.

Kamberi tha se përmirësimi i raporteve me shqiptarët kërkon aftësi për të kuptuar se “nuk ka pajtim pa u përballur me të kaluarën”. Ai tha se Vuçiqi e ka përgjegjësinë t’ua tregojë qytetarëve serbë “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e jo dëshirat boshe dhe ambiciet politike”.

Kamberi tha se Serbia duhet t’u kërkohet falje shqiptarëve për krimet e kryera në Kosovë dhe shprehu shqetësimin që në Serbi ende nuk ka atmosferë për kërkimfalje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi ashpër ndaj deklaratës së Kamberit. Ai tha se Kosova “nuk është shtet i pavarur” dhe se “serbët në veri të Kosovës nuk kanë status të njëjtë me shqiptarët në jug të Serbisë.

“Ju po e paraqitni situatën sikur Kosova është shtet i pavarur, se nuk ka asgjë të kontestueshme, por se bëhet fjalë vetëm për një marrëveshje dypalëshe që vendos barazi të të drejtave të serbëve dhe të shqiptarëve në dy shtete të pavarura. Por, çështja nuk është kështu”, tha Vuçiq.

Ai tha se nuk ka “asgjë kundër” dënimit të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, por shtoi se pala kosovare “po hesht dhe nuk po flet” për krimet që sipas tij janë kryer ndaj serbëve në Kosovë.

Vuçiq pranoi se Kamberi ka të drejtë kur thotë se autoritetet e Serbisë nuk po investojnë mjaftueshëm në dy komunat në jug të Serbisë të banuara më shumicë shqiptare, Preshevë dhe Bujanoc, por edhe në Medvegjë. Ai paralajmëroi se në këto tri komuna do të ketë më shumë investime në të ardhmen.

Debatit për dialogun Kosovë -Serbi në Kuvendin e Serbisë i parapriu raporti i Qeverisë, të cilin e paraqiti Vuçiqi.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, ka nisur në vitin 2011. Gjatë dialogut janë nënshkruar janë nënshkruar disa marrëveshje për çështje të ndryshme, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar ende ose janë zbatuar vetëm pjesërisht.

SHBA dhe BE po ushtrojnë presion ndaj dy palëve që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, por Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të papajtueshme rreth statusit të Kosovës. Kosova këmbëngul që në qendër të marrëveshjes të jetë njohja reciproke ndërmjet dy shteteve, ndërsa Serbia refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke u thirrur në “të drejtën historike” dhe “të drejtën ndërkombëtare”.

Autoritetet amerikane, përfshirë Presidentin Joe Biden dhe sekretarin Antony Blinken, kanë thënë se marrëveshja finale midis Kosovës e Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke. Kundër një marrëveshjeje të tillë është shprehur Rusia, si mbështetëse kryesore e Serbisë.

(r.m.)