Uashington, 11 gusht 2023 – Ekipi i prokurorit të posaçëm Jack Smith i ka kërkuar gjykatëses federale Tanya Chutkan që gjyqi ndaj ish-presidentit Trump mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 të fillojë në Uashington më dy janar. Nëse gjykatësja pranon kërkesën e prokurorëve të bërë të enjten, gjyqi kundër zotit Trump do të fillojë disa ditë përpara përvjetorit të sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Po ashtu ajo datë do të thoshte që gjyqi të fillonte dy javë para se të hidhen votat e para për garat brenda partisë për kandidatin republikan për president, në të cilat aktualisht zoti Trump kryeson.
Ndërkohë, një ndihmës i ish-presidentit Donald Trump deklarua të enjten se është i pafajshëm për akuzat e reja në rastin e padisë për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete në shtëpinë zotit Trump në Mar-a-Lago. Ndërkohë, menaxherit të pronës së ish-presidentit Trump në Mar-a-Lago iu shty gjykimi për shkak se ai ende nuk ka siguruar një avokat mbrojtës në Florida.
Zoti Trump hoqi dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur së bashku me ndihmësin e tij Walt Nauta dhe menaxherin e pronave Carlos De Oliveira në gjykatën federale në Fort Pierce dhe gjykatësi pranoi një deklarim të pafajshëm që ai dorëzoi në gjykatë javën e kaluar.
Shtyrja e gjykimit të rastit të zotit De Oliveira për shkak se ai nuk arriti të siguronte një avokat mbrojtës në Florida është vonesa më e fundit në çështjen e dokumenteve sekrete, procesi gjyqësor i së cilës është planifikuar të fillojë në maj. Avokatët e zotit Trump tashmë kanë thënë se do të kërkojnë që të shtyhet fillimi i procesit gjyqësor të planifikuar në maj të vitit të ardhshëm. Gjykatësi caktoi të martën si një afat të ri të paraqitjes në gjykatë për zotin De Oliveira.
Në aktakuzën e përditësuar të prokurorit të posaçëm Jack Smith në fund të muajit të kaluar, Nauta dhe De Oliveira akuzohen për komplot me ish-presidentin republikan në përpjekjet për të fshirë videot e kamerave të sigurisë në Mar-a-Lago, të kërkuara nga hetuesit. Ata u përballen me akuza, duke përfshirë konspiracion për të penguar drejtësinë në rastin që lidhet me dokumentet sekrete të qeverisë të gjetura në pronën e zotit Trump në Palm Beach pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në 2021.
Zoti Nauta dhe ish-presidenti Trump u akuzuan në qershor dhe më pas u deklaruan të pafajshëm për çështjen e dokumenteve sekrete, por padia e re shtoi numrin e akuzave ndaj tyre dhe zotit De Oliveira.
Zoti De Oliveira bëri një paraqitje fillestare në gjykatë në korrik, por nuk u deklarua lidhur me akuzat për shkak se nuk arriti të gjente një avokat mbrojtës në Florida.
Zoti Trump tashmë përballet me dhjetëra akuza për krime, dhe padia e fundit shtoi akuza të reja për pengim të drejtësisë dhe mbajtje të qëllimshme, në shkelje të ligjit, të dokumenteve sekrete që lidhen sigurinë kombëtare.
Ky është një nga tre rastet e ndryshme penale me të cilat po përballet zoti Trump këtë vit ndërsa ai po bënë fushatë për të marrë emërimin e partisë republikane për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ai po përgatitet gjithashtu për një aktakuzë të katërt të mundshme, në një rast në Qarkut Fulton, në Xhorxhia, mbi dyshimet se ai dhe aleatët e tij republikanë janë përpjekur të ndërhyjnë ilegalisht në zgjedhjet e vitit 2020 në atë shtet. Prokurorja e qarkut Faulton, demokratja Fani Willis, ka sinjalizuar se paditë lidhur me këtë çështje ka të ngjarë të njoftohen këtë muaj.
Zoti Trump ka mohuar se ka bërë shkelje dhe i ka cilësuar të motivuara politikisht të gjitha rastet kundër tij.
Ai u deklarua i pafajshëm në gjykatën federale të Uashingtonit javën e kaluar në një çështje të dytë të ngritur nga prokurori Smith për komplot me aleatët për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
(Zëri i Amerikës)