Kiev, 14 prill 2022 – Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, shkoi dje në Buça për të parë nga afër varrezat masive në këtë qytet të Ukrainës. Ai u tha gazetarëve se “Ukraina është një skenë krimi”. Shtetet e Bashkuara thonë se do të ndihmojnë në dokumentimin e këtyre krimeve.
Prokurorë për krime lufte vizituan qytetin Buça, në afërsi të kryeqytetit ukrainas, ku ekspertë të kriminalistikës filluan punën në kërkim të dëshmive për krime lufte.
“Çdo individ, në veçanti civilët, kanë të drejta të caktuara. Duhet të flasim për ta, të këmbëngulim në të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Pastaj gjykatësit do të përcaktojnë nëse ka përgjegjësi”, tha Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke folur me gazetarët.
Gjykata Ndërkombëtare Penale me bazë në Hagë, ka filluar hetimet nën dyshimet se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë. As Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të kësaj gjykate. Diplomatja më e lartë amerikane në Ukrainë, tha se bota e di se presidenti Putin po gënjente kur pretendoi se mizoritë e kryera në qytete të ndryshme të Ukrainës ishin “të falsikuara” ose “të inskenuara”.
“Bota e di se ai është përgjegjës për shpërthimin në stacionin e trenit në Kramatorsk. Ai është përgjegjës për krimet e kryera në Buça, për shkatërrimet në Mariupol dhe Kharkiv. Ai nuk mund të fajësojë dikë tjetër dhe bota e di këtë”, tha Kristina Kvien, ushtruese e detyrës së ambasadores amerikane në Ukrainë.
Gjatë një konference shtypi, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price u pyet vazhdimisht për arsyet pse Shtetet e Bashkuara nuk po ndiqnin hetimet e veta për krime lufte në Ukrainë dhe nëse presidenti Joe Biden ishte nxituar në përdorimin e fjalës “gjenocid”.
“Ne jemi të angazhuar të punojmë me partnerë në mbarë botën, por në radhë të parë me ata ukrainas, duke i ndihmuar në mbledhjen, ruajtjen, dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive të mizorive dhe krimeve të mundshme të luftës dhe po, nëse arrihet pragu ligjor, gjenocidit. Ne po punojmë shumë ngushtë me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, e cila ka krijuar një ekip me qëllim të ngritjes së akuzave dhe ndjekjeve të mundshme penale”, tha ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskky ka kërkuar që presidenti rus Putin të sillet para një gjykate ndërkombëtare.
“Të gjitha vendet udhëheqëse të botës e kanë dënuar sulmin e Rusisë në Kramatorsk. Ne presim një përgjigje të fortë globale ndaj këtij krimi lufte. Ashtu si masakrat në Buça dhe shumë krime tjera ruse të luftës, sulmi me raketa në Kramatorsk duhet të jetë një nga akuzat, gjë që do të ndodhë”, tha zoti Zelesnkyy.
Eskpertët thonë për Zërin e Amerikës se për sa kohë që ushtarët rusë qëndrojnë në Rusi, qasja tek ta është pothuajse e pamundur. Por analistët thonë se gjykimi i krimeve të luftës për të “turpëruar dhe fajësuar” autorët mund të ketë ndikim.
“Mbajtja e gjyqeve për krime lufte, qoftë dhe në mungesë, mund të ketë ndikim frenues sepse ushtarët me grada më të ulëta mund të thonë, ‘unë nuk dua ta rrezikoj veten nga ndjekja e mundshme për krime lufte’. Në thelb, kjo do të thotë se keni ngecur në Rusi për gjithë jetën, sepse nëse largoheni mund të ndiqeni penalisht kudo, nën atë që quhet juridiksion universal. Kjo vlen edhe për Vladimir Putinin”, thotë Alexander Downes nga Universiteti George Washington.
Të martën, presidenti rus Putin tha se raportimet për krime lufte në Buça janë të sajuara, por pa ofruar asnjë provë që vërteton të kundërtën e dëshmive të mbledhura në varrezat masive dhe raportet e shumta të dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes.
(Zëri i Amerikës)