Moskë, 21 korrik 2023 – Prokurorët rusë i kërkuan gjykatës dënimin e udhëheqësit opozitar Alexey Navalny me 20 vjet burg për një sërë akuzash për ekstremizëm, njoftoi të enjten një aleat i tij, Ivan Zhdanov.
Gjyqi, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura brenda burgut ku kundërshtari i Kremlinit po vuan një tjetër dënim të gjatë, pritet të përfundojë me marrjen e një vendimi më 4 gusht, tha zoti Zhdanov.
Akuzat e reja ndaj zotit Navalny kanë të bëjnë me operacionet e organizatës së tij anti-korrupsion dhe komentet nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë.
Si një ndër kritikët më të fortë të Presidentit rus Vladimir Putin, zoti Navalny bëri publik korrupsionin zyrtar dhe organizoi protesta të rëndësishme kundër Kremlinit. Ai i hedh poshtë si të motivuara politikisht të gjitha akuzat ndaj tij.
Zoti Navalny po vuan aktualisht një dënim të gjatë në një burg të sigurisë maksimale në lindje të Moskës.
Ai u arrestua në vitin 2021 pasi u kthye në Moskë nga Gjermania, ku po kurohej pas një helmimi me një agjent nervor, për të cilin ai fajësoi qeverinë ruse.
Në vazhdim ai u dënua me 2.5 vite burg për shkelje të lirisë me kusht dhe nëntë vite të tjera për mashtrim dhe mosrespektim të gjykatës.
Në deklaratën e tij përfundimtare në gjykatën brenda burgut, zoti Navalny dënoi sulmin ndaj Ukrainës, raportoi gazeta “The Moscow Times”.
“Rusia ime bëri disa kërcime të mëdha, duke i shtyrë të gjithë përreth, por pastaj rrëshkiti dhe ra me ulërimë, duke shkatërruar gjithçka”, u shpreh ai, sipas një deklarate të korrikut të publikuar nga ekipi i tij. “Dhe tani po përpëlitet në një pellg balte apo gjaku, me kocka të thyera, me një popullsi të varfër dhe të grabitur, dhe përreth saj gjenden dhjetëra mijëra njerëzit e vrarë në luftën më të trashë dhe më të pakuptimtë të shekullit të 21-të”, tha zoti Navalny.
(Zëri i Amerikës)