Prokurori i Përgjithshëm ankohet për punën e drejtuesve të prokurorive, por nuk i adreson në ILD

Tiranë, 14 prill 2023 – Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, paraqiti të enjten më 13 prill 2023 para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, analizën e veprimtarisë së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm gjatë vitit 2022. 

Veç evidentimit të arritjeve të një sërë objektivash që ka pasur Prokuroria e Përgjitshme, Çela konstatoi një probleme që sipas tij lidhen me mbingarkesën e punës në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vakancave të krijuara nga vetingu, si dhe me moszbatimin e udhëzimeve nga drejtuesit e prokurorive. Si shkak për këto të fundit ai pretendoi se janë edhe boshllëqet ligjore.

Çela vërejti se në vitin e kaluar porcesi i rivlerësimit kalimtar të magjistratëve ka sjellë vakanca të përkohshme dhe të përhershme deri në masën e 42% të prokurorëve.

Në vijim ai u ndal në veprimtarinë e prokurorive lidhur me ato që ai i cilësoi si probleme dhe çështje që kërkojnë vëmendje. Ndër të tjera, vërejti se gjatë vitit 2022 janë mbartur 21 mijë e 865 procedime në rang vendi, duke shënuar një rritje me 20.19 % krahasuar me ato të mbartura në 2021-in. Për këtë situatë ai fajësoi situatën e krijuar nga vakancat, ndërkohë që vërejti se ka një rritje të personave të akuzuar që janë dënuar nga gjykata, ku vetëm 2% e tyre janë deklaruar të pafajshëm.

Nga analiza në përqindje e raportit të çështjeve të përfunduara me procedimet e regjistruara në secilën prokurori është evidentuar performancë më e ulët në prokuroritë e rretheve gjyqësore Kavajë, Gjirokastër, Lushnjë e Përmet, ndërsa performanca më e lartë është konstatuar në Pukë, Kukës, Krujë, Kurbin, Sarandë, Vlorë e Mat.

Ai kërkoi që të rivlerësohet numri i prokurorëve në ato prokurori që kanë ngarkesë më të lartë.

Çela evidentoi disa probleme lidhur me ushtrimin e funksioneve nga ana e drejtuesve të prokurorive të rretheve, konkretisht në cilësinë e informimit dhe raporteve sipas përcaktimeve në aktet ligjore dhe nënligjore; për të dhënat statistikore periodike; kërkesat për informacion; raportimet periodike tre mujore, etj.. Sipas tij, nga ana e drejtuesve ka mospërmbushje të kërkesave për raportim dhe informim sipas ligjit dhe zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme.

“Në një masë të konsiderueshme drejtuesit e prokurorive rezulton se nuk luajnë një rol dinamik dhe aktiv në ushtrimin e detyrave të tyre në këtë aspekt. Konstatohet se roli i tyre kufizohet përgjithësisht në marrjen e masave formale apo të  masave të paplota administrative ose procedurale për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit të Prokurorit të Përgjithshëm”, vërejti Çela duke veçuar mungesën  e udhëzimeve jo të detyrueshme për çështje konkrete. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë dhënë vetëm 32 udhëzime të tilla në rang vendi.

Çela e cilësoi këtë rezultuat si një tregues shqetësues mbi efektshmërinë në ushtrimin e rolit nga drejtuesit. Ai theksoi se, megjithëse u është tërhequr vazhdimisht vëmendja, nuk ka një reflektim serioz në këtë drejtim.

Në vijim, kryeprokurori Çela konstatoi se, përgjatë vitit 2022, Komisioni i Policisë Gjyqësore ka vënë re se drejtuesit e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm kanë bërë vlerësime jo në përputhje me ligjin në vlerësimin profesional dhe të integritetit të oficerëve të policisë gjyqësore, që sipas tij kanë qenë formale dhe dukshëm jo objektive.

“Në raportet e vlerësimit të paraqitura nga drejtuesit e prokurorive për klasifikimin dhe vlerësimin e secilit oficer të policisë gjyqësorej, Komisioni ka konstatuar se vleresimi i bërë nga  drejtuesit e prokurorive nuk përputhet me treguesit e ngarkesës dhe të cilësisë të paraqitura nga vetë oficeri”, pohoi Çela dhe shtoi se vlerësimet janë thuajse gjithmonë “shumë mirë”. Ai vërejti se në vlerësimet e punës nuk duhet të vendoset marrdhënia personale mbi atë profesionale.

Po ashtu, evidentoi se oficerët e policisë gjyqësore më së shumti nuk e plotësonin një formular lidhur me hetimet që kryenin çdo muaj, që ishte krijuar me qëllim monitorimin e punës së tyre.

Ai pretendoi se në këtë situatë në marrëdhënie me drejtuesit e prokurorive dhe në veprimtarinë administrative të tyre vijon të ndikojë boshllëku i kuadrit ligjor në fuqi. Çela argumentoi se rregullimi ligjor aktual vështirëson lidhjen organike efektive mes zyrave të prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në kuptim të ushtrimit të detyrave ligjore dhe kushtetuese, si dhe në procesin e promovimit, vlerësimit të veprimtarisë, pezullimit apo shkarkimit të drejuesve të prokurorisë.

Sipas tij, kuadri ligjor nuk është i qartë dhe nuk parashikon vlerësimin e indikatorëve ligjorë matës të performancës së drejtuesve në veprimtarinë organizative dhe të marrëdhënieve të tyre me Prokurorin e Përgjithshëm. Kryeprokurori Çela tha se në vlerësimin e prokurorive nevojitet një përfshirje më e madhe e Prokurorisë së Përgjithshme duke vërejtur se ka nevojë për ndërhyrje nëpërmjet ndryshimeve dhe plotësimeve ligjor, me qëllim që të sigurohet funksionimi i organit të akuzës si një e tërë.

Pas paraqitjes së raportit, anëtari i KLP-së, Tartar Bazaj solli në vëmendje se Prokurori i Përgjithshëm i ka kompetencat që për problemet e konstatuara për drejtuesit e prokurorive, të kryejë ankesa pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD. Bazaj e pyeti Çelën se përse nuk kishte paraqitur ankesë, por ky i fundit u shpreh se kishin vlerësuar të ishin ‘konstruktiv’.

Çela pohoi se udhëzimet nuk janë të detyrueshme. Sipas tij, bëhet fjalë për një fazë të re të funksionimit të prokurorisë dhe është e vështirë që gjithë rregullat të përthithen e të zbatohen nga drejtuesit.

“Së pari është kërkuar të reflektojnë. Është kërkuar që të kenë një vëmendje të shtuar. Ajo që vihet re, është se roli i drejtuesit nuk është perceptuar si duhet prej tyre. Këto procese kërkojnë kohën e tyre dhe kjo është arsyeja përse kemi vepruar me tërheqjen e vëmendjes duke kthyer raportet formale. […]Qasja ka qenë konstruktive dhe nuk ka pasur qëllim për të ndëshkuar. Është dhënë koha për t’u përshtatur”, pohoi Çela, ndërsa shtoi se me ILD-në ishin koordinuar për të kryer inspektime tematike.

Anëtarja e Këshillit Arta Mandro sygjeroi se do të ishte më mirë që emrat e drejtuesve të prokurorive për të cilët janë konstatuar probleme, të pasqyroheshin në raport. Sipas saj, një gjë e tillë do t’i vendoste përballë përgjegjësisë. Çela tha se të dhënat për rastet e konstatuara do të vendosen në dispozicion të Këshillit.

Kryeprokurori Çela ngriti si problem ndër të tjera, edhe moskthimin e përgjigjeve nga autoritetet gjyqësore të shteteve të huaja lidhur me kërkesat e dërguara në kuadër të verifikimeve që kryhen nga sektori i dekriminalizimit. Sipas tij, vetëm dy shtete të Bashkimit Evropian kthejnë përgjigje.

(Reporter.al)