Sofje, 25 nëntor 2021 – Prokuroria bullgare, e cila po e heton rastin e aksidentit të autobusit në të cilin e humbën jetën të paktën 44 vetë nga Maqedonia e Veriut të martën, tha të enjten se sipas gjetjeve të para, zjarri është shkaktuar nga goditja e fuqishme e autobusit në gardhin metalik të autostradës.
Kryeprokurori bullgar, Borislav Sarafov u tha gazetarëve se fërkimi i autobusit me bankinat metalike dhe asfaltin ka shkaktuar shkëndija dhe përfshirjen më pas në flakë të karburantit e vajit motorik, teksa “jastëkët e ajrit janë nxehur duke bërë që djegia të marrë hov dhe të shkaktohet zjarr i përmasave të papara”.
Prokuroria bullgare tha se jane gjetur 44 kufoma në autobus, vdekja e të cilëve është pasojë e asfiksimit nga tymi; se shtatë veta kanë mbijetuar dhe ndodhen në spital, ndërsa ka dilema për fatin e personit të tetë, të supozuar si të mbijetuar, në bazë të dëshmisë së njërit prej të mbijetuarve.
Zoti Sarafov tha se ishin gjithsej 52 udhëtarë së bashku me shoferët që kishin hipur në autobus dhe se po bëhen kërkime për personin e tetë të mbijetuar, ndërsa dilema e parë e prokurorëve është se gjatë një pauze 20 minutëshe, një nga udhëtarët ta ketë ndërruar autobusin. Katër autobusë të agjencisë “Besa-trans” po udhëtonin nga Stambolli përmes Bullgarisë për në Maqedoninë e Veriut.
Kryeprokurori bullgar e hedh poshtë mundësinë e një akti terrorist në këtë rast. Ai po ashtu i hodhi poshtë spekullimet se në vendngjarje të kishte pasur dëshmitarë të tjerë, përveç shtatë pasagjerëve të mbijetuar, katër prej të cilëve burra dhe tri gra.
Por, prokuroria bullgare ende nuk është e sigurt se si u përhap aq shpejt dhe furishëm zjarri në autobus, për çka pritet të bëhen hetime nga ekspertët e zjarreve, të trafikut dhe të automjeteve. Prokuroria hedh poshtë versionet se shkaku i zjarrit të ishte nga kanistrat me naftë në autobus, sepse tre tubat që janë gjetur nuk kanë qenë të mbushura me naftë, por janë gjetur vetëm mbetje të naftës, ndërkohë që tubat nuk janë djegur.
Prokuroria në Sofje bëri të ditur se ka shenja që aksidenti të jetë shkaktuar nga gabimi njerëzor, por se kjo do të duhet të konfirmohet nga ekspertiza. “Por, nëse shkaku qëndron tek sinjalizimi i keq në autostradë, atëherë do të ketë përgjegjësi”, tha zoti Sarafov.
Ndërkohë, shpërthimi, të cilin e kanë dëgjuar të mbijetuarit, ka qenë nga goditja e fuqishme e autobusit në gardhin metalik të autostradës, sipas prokurorisë bullgare.
Autobusi i agjencisë “Besa-trans” nuk kishte qenë i pajisur me licencën e duhur për transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe për këtë lëshim në kufirin e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë janë pezulluar dy doganierë maqedonas, ndërsa priten sanksione edhe ndaj eprorëve të tyre.
Edhe autoritetet bullgare kanë parlajmëruar kërkim përgjegjësie nga policia dhe dogana e tyre.
(Zëri i Amerikës)