Prokuroria dhe policia përfshihen në përplasjet mes ministrit Vitia dhe gazetës “Insajderi”

Prishtinë,17 prill 2021 – Një shkrim i gazetës online “Insajderi.org” që ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, e bën përgjegjës për vonesën e furnizimit të Kosovës me vaksina “Pfizer” ka vënë në veprim prokurorinë dhe policinë e Kosovës. 

Në të vërtetë, prokuroria është vënë në veprim menjëherë pas thirrjes së ministrit Vitia që prokuroria të veprojë “ndaj atyre që dëmtojnë një proces jetik për qytetarët”.

Gazeta “Insajderi.org” e publikoi të premten një shkrim rreth procesit të sigurimit të vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë, si edhe korrespondencën mes të ministrit Vitia dhe zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë me përfaqësuesit e kompanisë “Pfizer”.

Sipas shkrimit “Skandaloze: Arben Vitia nuk e nënshkruan kontratën me Pfizer dhe BioNtech, rrezikon jetën e mijëra kosovarëve”, ministri Vitia ka refuzuar ta nënshkruajë një kontratë me kompaninë “Pfizer”, e cila ishte inicuar nga ministri i mëpërshëm i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ky refuzim dotë shkaktojë vonesën e furnizimit të Kosovës me vaksina nga “Pfizer”.

Ministri Vitia, përmes një konference për medie, të premten në mbrëmje, e kontestoi vërtetësinë e shkrimit, të cilin e cilësoi si “të pavërtetë, të dëmshëm dhe dashakeq”.

Ai ka thënë se vaksinat janë çështje e “sigurisë kombëtare”, prandaj shteti ”duhet të kërkojë llogaridhënie” ndaj gazetës. 

“Vaksinat janë çështje e rëndësisë dhe e sigurisë kombëtare, sepse kemi të bëjmë me shëndetin publik të qytetarëve. E të rrezikosh sigurimin e vaksinave ke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, e për këtë shteti duhet të kërkojë llogaridhënie”, ka thënë Vitia.

Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që “të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë këtë proces jetik për qytetarët”.

Prokurori i Shtetit është vënë menjëherë në veprim. Të shtunën në mëngjes, ai ka njoftuar se e ka autorizuar policinë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të iniciur rast lidhur me shkrimin e gazetës, të cilin e ka vështruar në kontekst të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

“Prokurori i Shtetit do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore”, thuhej nënjoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Kryeredaktori i gazetës online “Insajderi,org”, Vehbi Kajtazi, , i cili është edhe autor i shkrimit të publikuar, ka bërë të ditur se policët hetues kanë shkuar të shtunën në  zyrat e gazetës, ku kanë kërkuar të mësojnë burimin e informacionit të publikuar, por atyre nuk u është treguar burimi.

Ai kathënë se ajo që është publikuar në gazetë është e saktë dhe nuk ka të bëjë fare me ndonjë “dokument të ndjeshëm e konfidencial të shtetit”, siç pretendon ministri Vitia.

“Në dokumente shkruan se janë konfidenciale, pra komunikimi mes autoriteteve të Kosovës dhe kompanisë amerikane. Mirëpo, për ne, si gazetarë, nuk vlen një gjë e tillë, sepse ne kemi të drejtë të publikojmë secilin dokument që është në interes të publikut. Janë sekrete afariste të kompanive, dhe jo sekrete shtetërore”, ka thënë Kajtazi për Radion Evropa e Lirë.

Kajtazi ka bërë të ditur se prokuroria dhe policia janë tërhequr dhe i kanë ndërpreë hetimet ndaj këtij mediumi, pas takimit të drejtorit të gazetës me zyrtarët e policisë.

“Prokuroria është tërhequr pasi që drejtori i gazetës, Parim Olluri, bashkë më avokatin kanë shkuar në stacion dhe e kanë kërkuar vendimin për hetim, të cilin ata nuk ja kanë dhënë, dhe iu kanë thënë se ‘nuk kemi punë me ju.’ Policisë i është dorëzuar kopja e ligjit për mbrojtjen të burimeve edhe me kaq është kryer”, ka thënë Kajtazi.

Por, as policia e as prokuroria nuk kanë njoftuar se a kanë përfunduar hetimet lidhur me këtë rast.

Përplasjet mes ministrit të Shëndetësisë dhe gazetës online “Insajderi.org”  kanë shkaktuar reagime të shumta publike në Kosovë. Partitë politike opozitare, komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile e kanë gjykuar ministrin Vitia për thirrjen për ndjekjen e gazetës “Insajderi”, të cilën e kanë vlerësuar si përpjekje për “disiplinimin” e medieve në Kosovë.

Njohës të rregullativës ligjore lidhur me mediet  e kanë cilësuar aktin e ministrit Vitia dhe të organeve të ndjekjes si shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe si cenim të lirisë së mediave.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore të heqin dorë nga presioni ndaj gazetarëve.

(r.m.)