Prokuroria e Beogradit tha se “nuk ka dëshmi” për keqtrajtimin e Sandulloviqit

Beograd, 11 janar 2024 – Zyra e Prokurorisë Themelore në Beograd tha se, nga dëshmitë e mbledhura deri më tani, “nuk ka tregues se ka prova bindëse dhe të qarta” se opozitari serb, Nikolla Sandulloviq, është keqtrajtuar, raporton Radio Evropa e Lirë.

Zyra e Prokurorit tha se ky institucion nisi mbledhjen e provave, “për shkak të informacioneve të publikuara në media të caktuara lidhur me keqtrajtimin e supozuar të Sandulloviqit më 3 janar nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA)”.

“Veç tjerash, nga informacionet e Akademisë Mjekësore Ushtarake – të Klinikës së Neurologjisë, që janë të 4 janarit, shihet qartë se [mjekët] nuk kanë konstatuar lëndime fizike”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Një ditë më herët, BIA hodhi poshtë pretendimet se udhëheqësi i Partisë Republikane, Nikolla Sandulloviq, ishte subjekt i tortures. Ajo tha se ndaj Sandulloviqit “nuk ka pasur përdorim të forcës fizike të paligjshme”

Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish konfirmoi se Sandulloviq ndodhet në paraburgim që nga java e kaluar, nën dyshimet se “ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Më 2 janar, Sandulloviq e publikoi në platformën X një video nga vizita e tij në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, duke vendosur kurorë lulesh në këtë monument që përkujton masakrën e forcave serbe të kryer më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Një ditë pas publikimit të videos, avokati Çedomir Stojkoviq bëri të ditur se Sandulloviqi ishte arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, deklaroi më 6 janar se Sandulloviq ishte arrestuar me urdhër të tij, urdhër që sipas tij ishte në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.

Vulin tha se Sandulloviq ishte arrestuar për shkak se kishte vendosur kurora lulesh në kompleksin memorial në Prekaz.

Familja e Sandulloviqit ka thënë se ai është paralizuar pjesërisht si pasojë e rrahjes brutale në Shërbimin Sekret.

Institucionet e Bashkimit Evropian kanë thënë se janë duke duke verifikuar informacionet lidhur me arrestimin dhe keqtrajtimin e Sandulloviqit.

(r.m.)