Bardha Nergjoni, BIRN
Hetimet ndaj kompanisë publike Eco-Elb nisën për akuzat e “ndotjes së ajrit” dhe “shkatërrimit të pronës”, pas dyshimeve se zjarret në landfill ishin të qëllimshme, por prokuroria thotë se tashmë po heton edhe për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria e Elbasanit ka zgjeruar hetimin mbi kompaninë publike Eco-Elb, që administron inceneratorin dhe landfillin e mbetjeve për qarkun e Elbasanit.
Në përgjigje të pyetjeve nga BIRN, Prokuroria e Elbasanit bëri me dije se drejtues të kompanisë po hetoheshin për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Hetimet për këtë akuzë sipas prokurorisë i ishin shtuar hetimeve të filluar më herët për “ndotje të ajrit” dhe “shkatërrim të pronës” pas një zjarri të rënë në landfill në korrik të vitit që shkoi.
Prokurori i çështjes Xhelian Seferi i tha BIRN se hetimet për shpërdorim të detyrës u regjistruan pas depozitimi të një memoje nga një anëtar i Këshillit Bashkiak.
“Kjo memo është administruar si çdo e dhënë tjetër dhe do t’i nënshtrohet verifikimit”, tha ai.
Hetimet ndaj kompanisë dhe drejtuesve të saj kanë nisur që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Ndërkohë situata në landfillin e Elbasanit është rënduar dhe landfilli duket se është jashtë kapacitetit. Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të disa ditëve më parë, ku u diskutua kontrata e re me Eco-Elb, nënkryetari i këshillit Zamir Muzhaqi, tha se qyteti kishte nevojë për landfill të ri.
“Ne do të depozitojmë një memo për të marrë masa që të kemi një vendgrumbullim të ri”, tha Muzhaqi gjatë kësaj mbledhjeje.
Inceneratori i Elbasanit është i vetmi impant i përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, të hetuara për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Por pavarësisht se i përfunduar ai ka pasur vazhdimisht defekte dhe ka punuar vetëm për pak kohë. BIRN gjeti se problemet e inceneratorit krijuan një mal me mbetje që do duhej të ishin djegur.