Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë ndaj dy serbëve për huliganizëm në veri

Prishtinë, 20 korrik 2023 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër dy të pandehurve me inicialet S.J dhe I.S., të nacionalitetit serb, për veprën penale, pjesëmarrje në turmën që kreu veprën penale të huliganizmit në pjesën veriore të Kosovës.

Prokuroria, përmes një komunikate për media, bëri të   ditur se të pandehuri që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia më 30 maj, përmes pikëkalimit kufitar në Jarinjë, “i kishin ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm, dëmtim të objekteve e shkaktim të lëndime trupore ndaj zyrtarëve”.

Në komunikatë thuhet se ata kanë qenë në kontakt me turmën e protestuesve që kanë ushtruar dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe kanë dëmtuar automjetet të policisë dhe të medieve.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se si pasojë e dhunës së 29 majit në Zveçan janë plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë identifikuar dhjetëra serbë që dyshohen për shkaktimin e dhunës dhe të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Deri më tani, Policia e Kosovës i ka arrestuar disa serbë për sulm ndaj institucioneve të sigurisë, të tjerë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, por edhe për sulme ndaj gazetarëve.

Autoritetet në Serbi, dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kanë thënë se Qeveria e Kurtit synon dëbimin e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, edhe pse, nuk ka ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.

(r.m.)