Prokuroria e Tiranës reagon ndaj akuzave publike të Ramës, i publikon shifrat

Tiranë, 8 maj 2024 – Kryeministri Edi Rama hodhi akuza ndaj Prokurorisë së Tiranës të martën m 7 maj, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai pohoi se në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Sipas kryeministrit, janë 80 raste për evazion fiskal që flenë prej vitesh në këtë prokurori. Ai nënvizoi se ka të denoncuar edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë, që i kanë çuar në prokurori vetë institucionet, për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore.

I pyetur nga BIRN lidhur me këto deklarime të kryeministrit Rama, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela tha se nuk mund të bënte komente. Ndërkohë, bazuar në një kërkesë për informacion, prokuroria vendosi në dispozicion të dhënat statistikore lidhur me kallëzimet e mbërritura nga organet tatimore dhe doganat prej vitit 2021 e në vijim, si dhe për ato për të cilat janë përmbyllur çështjet.

Sipas prokurorisë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë dërguar në total 106 kallëzime, nga të cilat 28 në vitin 2021; për 2022-in 43 kallëzime penale; në vitin 2023 janë depozituar 26 kallëzime penale dhe 9 kallëzime penale në 2024-ën. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave janë referuar gjithsej katër kallëzime penale, një në vitin 2021 dhe tre në 2022-in.

Prej këtyre kallëzimeve, janë përfunduar gjithsej 50 çështje. Në vitin 2021 janë dërguar për gjykim dy çështje dhe një tjetër është pezulluar; në 2022-in janë përfunduar 17 çështje, nga të cilat shtatë janë dërguar për gjykim, shtatë për pushim dhe për tre prej referimeve është vendosur mosfillim procedimi penal; gjatë vitit 2023 janë përfunduar 30 çështje, nga të cilat nëntë janë dërguar për gjykim, 10 kërkesa për pushim, nëntë mosfillime dhe për dy raste është shpallur moskopetenca. Sipas prokurorisë, disa prej çështjeve të përfunduara në vitet 2022 dhe 2023 u përkasin referimeve të viteve parardhëse.

“Përsa i përket totalit të çështjeve të përfunduara, rezulton se në 35% e tyre janë dërguar në Gjykatë me objekt kërkesë për gjykim, për periudhën e kërkuar. Kjo përqindje është e njëjtë me rastet e veprave tjera penale të cilat janë dërguar kërkesë për gjykim”, sqaron prokuroria në përgjigje.

I pyetur për koment lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama ndaj Prokurorisë së Tiranës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

(Reporter.al)