Tiranë, 22 janar 2024 – E sulmuar nga kryeministri Edi Rama për mungesë shtylle kurrizore sa i përket hetimeve të vrasjeve dhe plagosjeve të 21 Janarit 2011, Prokuroria e Tiranës lëshoi një deklaratë për mediat sipas të cilës ajo është duke hetuar ngjarjen dhe në proces të grumbullimit të provave për vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosjen e 6 personave të tjerë.
Prokuroria e Tiranës deklaroi të hënën se prej vitit 2021 kishte rinisur hetimet dhe kishte kërkuar ndihmë jashtë vendit, për zbardhjen e vrasjes së dy protestuesve më 21 janar 2011, të mbetura pa autorë prej vitesh.
Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me rradhë në kërkim të provave.
“Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda”, thuhet në njoftimin e prokurorisë që nuk jep më tej detaje në lidhje me sa është gjetur pas gati tre vjet hetimesh.
Deklarata e Prokurorisë u bë një ditë pas përkujtimit të 13 vjetorit të ngjarjes, kur ajo u sulmua nga kryeministri Edi Rama, se nuk kishte shtyllë kurrizore për të zgjidhur çështjen dhe se shpresonte që ajo t’i kalonte Prokuorisë së Posaçme. “Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të “21 janarit” do t’i kaloj për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimi e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di sesa kohë akoma nën barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës”, tha kryeministri duke iu referuar një kërkese para Gjykatës së Lartë për kompetenca të hetimit.
Në deklaratën e saj prokuroria e Tiranës nuk i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit, i cili ishte personi që si lideri i opozitës udhëhoqi protestën në janar 2011, por thotë se është duke grumbulluar prova dhe ka kërkuar ndihmë te autoritete të huaja. “Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit, është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria po ashtu thotë se ka marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të nëntorit të vitit të kaluar, e cila ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe ka gjetur shtetin shqiptar fajtor për shkelje të së drejtës së jetës dhe asaj të hetimit.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim i kërkon Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNj gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.