Tiranë, 31 korrik 2023 – Prokuroria e Tiranës, përmes një njoftimi për medie, ka treguar për çfarë dyshihet Dritan Goxhaj, i cili u arrestua të hënën në Tiranë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, me seli në Hagë.
Në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës thuhet se Goxhaj akuzohet për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar në legjislacionin penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria shpjegon se arrestimi u krye nga policia shqiptare “në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike”.
“Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletë-arrestin dhe kishte urdhëruar transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’)”, thuhet në njoftim.
“Gjykatësi i Vetëm autorizoi kontrollimin e z. D.G., të vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre (‘Urdhri për Autorizimin e Kontrollimit dhe Sekuestrimit’). Gjykatësi i Vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G., mban përgjegjësi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjatë procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit. Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës”, thuhet me tutje në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Lifhur me arrestimin e Dritan Gogjajt ka njoftuar edhe Policia e Shtetit. Në njoftim thuhet se arrestimi është kryer me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet gjithashtu se materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Arrestimi i Goxhajt është bërë sot në Tiranë dhe ky rast ndërlidhet me akuzat e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Gjykata Speciale ka konfirmuar se kishte kërkuar arrestimin e Dritan Goxhajt dhe dorëzimin e tij në Hagë.
(r.m.)