Prishtinë, 29 nëntor 2021 – Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por pranoi se hetimet “nuk janë të lehta”.
“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha për Radion Evropa e Lirë prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera.
Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës shkolle – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit – rreth 100 kilometra larg Prishtinës.
Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.
Në incident mbeti i plagosur edhe një person, por gjendja e tij shëndetësore mësohet të jetë stabile.
“I është larguar plumbi, e ka kryer operacionin, kështu që tash, pas operimit, duhet pak kohë, por gjendja e tij është e mirë”, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Naim Sahiti.
Prokurorja Gashi tha se njësitet elitare “janë duke punuar 24 orë” në kërkim të sulmuesit të dyshuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë sa më parë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.
Të dielën, Kurti vizitoi stacionin e policisë në Deçan.
“Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja”, tha Kurti para mediave.
Derisa qëndroi për vizitë në fshatin Gllogjan, ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndajnë me organet e rendit çdo informacion të mundshëm, që mund të çojë deri te zbardhja e rastit.
Qeveria e Kosovës, si shpërblim për informacione që shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti, ka ndarë 20 mijë euro.
(REL)