Tiranë, 26 mars 2025 – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin dhe kërkon gjykimin e ish-drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili akuzohet se rreth dy vjet më parë kopjoi në mënyrë të paligjshme bazën e të dhënave TIMS.
Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën më 26 mars përfundimin e hetimeve ndaj ish-Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”, pasi akuzohet se ka eksportuar në mënyrë të paligjshme bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit, rreth dy vjet më parë. Prokuroria i kërkon gjykatës kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj Muçës. Ndërkohë që është ndarë çështja për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas organit të akuzës, ka rezultuar se Muça nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, se nuk ka një informacion, memo informuese apo plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre.
Muça akuzohet se ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up – konkretisht shtetasi K. M. i cili nuk ishte pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo të pranishëm.
Prokuroria thotë se vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat, lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Ku proces, sipas organit të akuzës, nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e.
Nga verifikimet e kryera prej hetuesve ka rezultuar se Muça në vitin 2007 është raportuar si përgjegjës për veprat penale të “dokumenteve false kryer nga persona privatë” dhe “përdorimin e një akti të rremë”. Në shtator të vitit 2008 atij i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.
Po ashtu, ka rezultuar se në kohën kur Muça ka kryer veprën penale ishte njëkohësisht këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e shtetit. Sipas prokurorisë, ligji për Policinë e Shtetit ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies, por Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin që mbante.