Prishtinë, 20 prill 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK)njoftoi të enjten se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krhyeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Krasniqi u arrestua të mërkurën, në bazë të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.
Mediet në Kosovë raportuan se z.Krasniqi dyshohet për kontrata milionëshe në dëm të KEK-ut.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘Konflikti i interesit’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e hetuesisë, bastisën të mërkurën zyrën e Krasniqit në KEK dhe dy banesa private të tij.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si: tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, njoftoi të mërkurën Policia e Kosovës.
(r.m.)