Prokuroria mbyll hetimet për gjashtë vdekjet e dyshimta në QKUK

Prishtinë, 12 tetor 2021 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbyllur hetimet lidhur me vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.

Ulaj ka bërë të ditur se nga raportet e autopsisë të gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar të kenë qenë vdekje të natyrshme.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve dhe trajtimit të rastit në fjalë, më 11.10.2021, e ka mbyllur këtë rast. Nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se kanë qenë vdekje të natyrshme dhe të njëjtit kanë qenë të infektuar me COVID-19”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe kujtojmë se më 5 korrik 2020 në QKUK kishin ndërruar jetë gjashtë persona nga coronavirusi, ku edhe ishin ngritur dyshimet për natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.

“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSH dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, ishte thënë në një komunikatë atë kohë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosov.

(Telegrafi)