Beograd, 3 tetor 2023 – Autoritetet serbe po përpiqen që përgjegjësinë për armatosjen e grupit të armatosur serb që kreu sulmet në pjesën veriore të Kosovës ta bartin jashtë Serbisë. Në urdhrin për zhvillimin e hetimeve kundër Milan Radoiçiqit, të lëshuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, thuhet se Radoiçiqi ka blerë armë në Tuzla, në Bosnjë e Hercegovinë.
Prokuroria tha Milan Radoiçiqi, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, është intervistuar si i dyshuar se, bashkë me disa persona të panjohur, ka kryer veprat penale “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
“Milan Radoiçiq akuzohet se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator ka blerë armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat më së shpeshti i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit. në relacionin Bubanj Potok – Vërçin, dhe të cilat më pas i ka transportuar dhe i ka ruajtur në lokacione të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte dhe në pyje të braktisura, kështu që si udhëheqës i një grupi me disa persona të panjohur, me veprim të përbashkët dhe një veprim përgjithësisht të rrezikshëm, më 24 shtator, ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve në qytetin e Banjskës, në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit.
Sipas prokurorisë, Radoiçiqi ka mohuar se i ka kryer veprat e përmendura penale.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Milan Radoiçiq është arrestuar të martën, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd dhe atij i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë, nën dyshimin për “trafikim armësh”.
Më 29 shtator, Radoiçiq, përmes avokatit të tij, Goran Petronijeviq, e mori përgjegjësinë për organizimin e sulmet në Banjskë të komunës së Zveçanit, më 24 shtator, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit me Policinë e Kosovës u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Milan Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, deri të premten, kur e mori përgjegjësinë për sulmin.
(r.m.)