Prishtinë, 14 korrik 2023 – Prokuroria Themelore e Prishtinës tha të premten se ka filluar të marrë në pyetje zyrtarët politik të përfshirë në përleshjen e një dite më parë në parlamentin e Kosovës.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Prokuroria tha se rasti i një dite më parë po hetohet si vepër penale e sulmit dhe se në bashkërendim me policinë e Kosovës prokuroria “ka lëshuar disa autorizime me qëllim të sqarimit të plotë të kësaj çështjeje dhe në kuadër të tyre janë duke u marrë deklaratat e palëve të përfshira në këtë rast”.
Të enjten parlamenti i Kosovës u përfshi nga përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të pushtetit.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet akuzoi Partinë Demokratike në opozitë për përleshjet ndërsa zyrtarë të kësaj të fundit akuzuan sot qeverinë për nxitës të dhunës.
“Do t’i përgjigjen institucioneve të gjithë ata që janë ftuar por prapë po e them, nuk kemi qenë ne nxitës, nuk kemi provoku ne dhunë, veprimet e opozitës, veprimet e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë më demokratike se shumë për të provuar me ja hap sytë kësaj qeverie e cila e ka fut vendin në njërin prej skandaleve më të mëdha që e kemi parë ndonjëherë me përfaqësues të Listës Serbe, me Milan Radojiçiçin“, tha deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra.
Partitë opozitare po e akuzojnë qeverinë për bashkërendim të politikave së bashku me Listën Serbe, pasi për disa ditë me radhë portali Nacionale publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Milan Radoiçiç kërkohet nga drejtësia në Kosovë nën dyshimet për përfshirje ne frikësimin e dëshmitarëve në një rast gjyqësor, të njohur si “Brezovica”. Emri i tij ishte përfshirë edhe në një aktakuzë rreth vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por, një urdhër arresti për të u tërhoq në mars të vitit 2021.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë ceremonisë së diplomimit të disa pjesëtarëve të rinj të policisë së Kosovës se puna e policëve në veriun e Kosovës ka çuar në luftimin e bandave kriminale.
“Intensiteti i njejtë i punës së zyrtarëve policorë ka vijuar edhe në veriun e vendit tonë që në kaluarën ka qenë zonë e rahatisë për bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi. Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar policor edhe në atë zonë ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë, nga të cilët 25 zyrtarë janë lënduar lehtë, një është plagosur ndërsa një ndodhet aktualisht në tretman mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e arrestimit të kriminelit famëkeq Llune”, tha ai.
Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga serbët.
Qeveria e Kosovës është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.
Kryeministri Kurti tha se pajtimi i arritur të hënën në Bratislavë për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit, do të rikthejë barazinë në tryezën e bisedimeve me Serbinë, që sipas tij është cenuar nga vendosja e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Zyrtarët evropianë e kanë mirëpritur pajtimin e Kosovës për hapat e parë drejt uljes së tensioneve ndërsa presin përparim të mëtejmë në këtë drejtim.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, pajtimin e Kosovës për shtensioim të situatës i ka quajtur lojë të disave në perëndim që sipas tij kërkojnë një arsye të fajësojë Serbinë dhe të ruajnë “foshnjën e tyre”.
Javën e ardhshme kryenegociatorёt e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.
(Zëri i Amerikës)