Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jovan Viqentijeviq, thotë se ekziston dyshimi i bazuar se ai bashkë me vëllanë e tij. Dragisha Viqentijeviq, me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.
Dosja e Prokurorisë e siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi“, rezulton të jetë parashtruar më 2 dhjetor 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin-Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit Ibër-Lepenc, e cila përdoret për furnizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me ujë të pijshëm dhe për nevoja të termocentraleve të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, i dyshuari Jovan Viqentijeviq në bashkëkryerje me të dyshuarin Dragisha Viqentijevq (vëllanë e tij), me qëllim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit.
Dosja e Prokurorisë thotë që të dyshuarit e kanë aktivizuar eksplozivin dhe si pasojë kanë dëmtuar rëndë dhe e kanë bërë të papërdorshëm për shfrytëzim të mëtutjeshëm ujin, kështu që ua kanë pamundësuar qytetarëve furnizimin me ujë për pije dhe e kanë rrezikuar prodhimin e energjisë elektrikë në nivel te vendit.
Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues duke shkatërruar apo dëmtuar pajisjet publike” sipas nenit 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” nga neni 129, paragrafi 1 dhe nenit 128. paragrafi 1,.1 i lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, më 1 dhjetor 2024, rreth orës 18:30 në fshatin Prevllakë, në shtëpinë e të pandehurit Jovan Viqentijeviq, gjatë kontrollit nga ana e Policisë janë gjetur dhe sekuestruar: 3 granata dore BRM 75, 500 fishekë të kalibrit 7.9 mm, fishekë të ndryshëm të kalibrave të ndryshëm ende të panumëruar, dy thika për pushkë luftarake, dy karikatorë AK-47, një karikatorë për pushkë, mekanizëm për mbushjen e pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, një thikë me këllëf, të cilën i pandehuri e mbante pa autorizim dhe pa leje nga organet kompetente, duke shkelur Ligjin për Armës nr.05/L-002.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 2 dhe 1 të Kodit Penal.
Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se bazuar në dëshmitë që posedojnë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën kryer veprat penale për të cilat dyshohet.
Prokuroria thekson se Jovan Viqentijeviq, nuk e ka pranuar se e ka kryer veprën penale, por ka pranuar se pushka automatike e gjetur tek bashkëkryerësi, vëllai i tij Drgisha Viqentijeviq, është e tij, duke mos pranuar armën tjetër përveç fishekëve në shtëpinë e tij në Prevllakë.
Tek i njëjti, sipas Prokurorisë, janë parë disa lëndime trupore të cilat dyshohen së lidhen me vendin e ngjarjes, ku ka ndodhë vepra penale si dhe në bazë të disa dëshmive të tjera të cilat janë gjetur në shtëpinë e të pandehurit dhe vëllait të tij Dragishës. Kështu që edhe pse i pandehuri Jovan, ka refuzuar të tregojë se në shtëpinë e tij ka armë të tjera, gjatë bastisjes janë gjetur numër i madh i armëve të cilat lidhen me veprën penale për të cilën është duke u kryer hetime, e të cilat dëshmi do të jenë subjekt i procesimit për ekspertizë forenzike.
Në bazë të kësaj, thuhet se vërehet qartë se vepra penale ekziston dhe se dyshohet se këto vepra penale i kanë kryer të pandehurit. Për këtë arsye, Prokuroria beson se këto dëshmi janë analizuar mirë dhe vërtetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale.
Aty thuhet se paraburgimi duhet të caktohet ngase ekziston dyshimi i arsyeshëm për të besuar se pasi i pandehuri Viqentijeviq, shtetas i Republikës së Serbisë, e ka vendbanimin disa kilometra nga kufiri me Serbinë, si dhe veprimet e tij kanë qenë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës. Në lokacionin e tij ku e ka kërkuar Policia, ku dhe anëtarë të tjerë të familjes kanë qenë të informuar për thirrjen e Policisë që ky i pandehur të dorëzohet, ai me qëllim i ka ikur thirrjes derisa nuk është gjetur dhe zënë sa ka qenë në arrati. Për të njëjtën arsye, besohet se ekziston rreziku që mund t’i ikë drejtësisë, që për organet e drejtësisë në Kosovë do të ishte e pamundur për ta siguruar të njëjtin në procedurën penale.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, edhe Jovan Viqentijeviqit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ndryshe, të hënën (2 dhjetor), Prokuroria Speciale bëri të ditur se lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, ishin shoqëruar në Polici 10 të dyshuar. Prej tyre, Dragisha Viqentijeviq, dhe D.M., u ndaluan, ku të parit iu caktua masa e paraburgimimit, ndërsa i dyti është liruar në procedurë të rregullt.
Kurse, më 1 dhjetor u ndalua edhe Jovan Viqentijeviq, të cilit i janë sekuestruar armë e pajisje tjera në shtëpi.
Ndryshe, shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia. Sulmin e kanë dënuar ashpër edhe ndërkombëtarët.
Lidhur me këtë rast gjatë kontrolleve në veri, Policia ka sekuestruar armë, municion, e pajisje tjera.