Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sekuestrimi e 35 kg marijuanë në Konispol.
Prokuroria e Sarandës ka zbuluar të dhëna të reja pas kontrolleve të kryera në telefonin e autorit Lutfi Faslliu.
Konkretisht janë zbuluar mesazhe të dërguara në rrjetet e komunikimit në aplikacionet ‘WhatsApp’ dhe ‘Messenger’ drejt disa numrave të ndryshëm shqiptarë ose grekë, ku në përmbajtje të bisedave evidentohet fakti i transportimit të lëndës narkotike drejt shtetit grek.
Në vijim, është disponuar kryerja e aktit të ekspertimit teknik-kompjuterik në lidhje me telefonin e sekuestruar të këtij shtetasi, me qëllim zbulimin e më shumë të dhënave të cilat eventualisht mund të jenë fshirë nga i dyshuari”.
35 kg marijuanë u sekuestruan në 6 tetor në një banesë në Konispol, ku u arrestuan çifti Lutfi e Shano Faslliu (Demce), për të cilët Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ata fillimisht u kapën nga policia në vendin e quajtur “Ura e Cukës” duke transportuar dy klandestinë egjiptianë, por më pas gjatë kontrollit të kryer në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 1 kallashnikov dhe 35 kg marijuanë.
(BalkanWeb)