Prometeu

Mbi të ecnin re të zeza të rënda, si kanistra vigane të mbushura me avull, bubullima dhe elektricitet
 
Ismail Kadare -Tregim i vitit 1967
 
Ishte dita e tretë që shqiponja nuk po vinte t’i hante shpretkën, si zakonisht. Për herë të parë pas dhjetë mijë vjetësh, nuk e munduan dhembjet e tmerrshme dhe trupi i tij gjeti prehje, mbështetur pas faqes së shkëmbit. I flihej.
 
Dikush ka ndërhyrë te Zeusi, mendoi me shpërfillje.
 
Ditën e katërt ndjeu se si në anën e majtë të barkut shpretka po i rritej dhe po i rëndonte. Në vendin ku më parë i ngulej vendi i shkabës, tani ndjente një masë të madhe amorfe, të qetë e të rehatshme, që fryhej dalngadalë dhe shtrihej nëpër të gjithë trupin e tij.
 
Muskujt që i tendoseshin çdo ditë nga vuajtja, tani po i zbuteshin e i lëshoheshin si të përgjumur.
 
Ç’po ndodh? –pyeti papritur i trembur, ditën e pestë, sikur të ishte zgjuar nga një ëndër e keqe. Ku është zhgabonja? Pse s’vjen?
 
Tani shpretka i ishte fryrë shumë dhe poi u varrej mbi trup si një sfungjer i butë i këndshëm.
 
Ditën e gjashtë ndjeu shpretkën ta mbështillte të tërin me qetësi.
 
Në qoftëse shkamba nuk vjen më, unë do të vdes, mendoi me urrejtje. Ai e ndjeu se do të vdiste nga squllja.
 
Gjithë jetën nuk kishte pranuar kurrë një kompromis. Shumë njërëz deshën ta pajtonin me Zeusin, por ai i kishte pritur me përbuzje ndërhyrjet e tyre.
 
Kush ka guxuar të ndërhyjë përsëri për mua?-uluriu. Përreth s’kishte asnjë njëri që ta dëgjonte. Aty pranë kalonte ngadalë një copë mjegull. Më tutje, binte shi.
 
Ditën e shtatë iu duk se pa që larg krahët e shpendit që po avitej. Por s’ishte shqiponja. Ishte një aeroplan pasagjerësh, që fluturonte ngadalë, sipër maleve.
 
E vari kokën mbi gjoks dhe me përbuzje priti vdekjen. Por, në çastin që drita e syve po i shuhej, dalloi larg, shumë larg, midis dy reve, njollën e vogël që po afrohej e rritej vazhdimisht.
 
Ngriti kokën, tendosi muskujt dhe priti goditjen e sqepit të tmerrshëm. Kur sqepi u ngul, si zakonisht, mbi shpretkën e fryrë, me një goditje të rëndë e të shurdhër, ai tha me vete: tani shpëtova.
 
Mbi të ecnin re të zeza të rënda, si kanistra vigane të mbushura me avull, bubullima dhe elektricitet.
 
Marrë nga profili “Kadare for Nobel prize”