Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjemba, se karakollet e përbindshme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, Në fund të fundit edhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. (Visar Zhiti)
Nuk ka adhurues të librit apo letërsisë shqipe që të mos e dëshirojë dhe ëndërrojë takimin me poetin dhe krijuesin Visar Zhiti, i cili ndryshoi krejtësisht konceptin e poezisë sociale dhe lirike pas viteve ‘90 të shek XX. Shoqata “Bijtë e shqipes” mundësoi promovimin e romanit të fundit të këtij autori “Këpuca e aktorit”.
Në data 4 nëntor, ora 6 pm, salla e shoqatës sonë ishte tejmbushur. Por jam e bindur se shumë e shumë të tjerë do të kishin dashur të ishin aty. Një atmosferë mikpritëse, shoqëruar me ndjenjën e adhurimit, respektit dhe mirënjohjes për autorin.
Kryetari i shoqatës, zoti Dritan Matraku i uroi mirëseadhjen shkrimtarit dhe bashkëshortes së tij Znj. Eda Zhiti dhe e falenderoi për pranimin e ftesës së Kryesisë së Shoqatës. Ai vlerësoi kontributin e Visar Zhitit jo vetëm në fushën e letrave, por edhe si gazetar, përkthyes dhe diplomat, duke theksuar edhe rëndësinë e këtij takimi për komunitetin shqiptar të Filadelfias.
Më pas krjuesi dhe një nga themeluesit e shoqatës sonë, z. Vlashi Fili, prezantoi një biografi të shkurtër të jetës dhe krijimtarisë së autorit, duke theksuar se si Visar Zhiti erdhi në letërsinë shqipe, dënimin në kohën e diktaturës dhe rolin e tij në krijimin e një poezie të guximshme e shkruar që në kohën e burgimit e deri më sot.
Dr. Sadik Elshani njohu të pranishmit me një përmbledhje të veprës së fundit të shkrimtarit, romanit “Këpuca e aktorit.” Ai përcaktoi karakterin e romanit si një rrëfim me elemente jetëshkrimore, një sagë e një familje në tri periudha historike të rëndësishme në jetën e Shqipërisë, duke u ndalur në simbolikën e personazheve, numrave, titullit. Dr. Sadik Elshani theksoi se është një roman me tematikë interesante e qasje moderne të të rrëfyerit me një gjuhë dhe nënkuptime filozofike.
Shumë të pranishëm sollën kujtimet që kishin lidhje me shkrimtarin si mësues, si poet, si gazetar. Kujtime që lidheshin jo vetëm me ata drejtëpërdrejtë, por edhe me miqtë, shokët, të dashurit që disa prej nuk janë larguar nga ne. Kujtime të bukura, domethënëse, shpresëdhenëse edhe në momentet më të vështira dhe jonormale.
Shumë emocione do të sillnin edhe recitimi nga të pranishmit të poezive më të bukura të këtij poeti të cilat përcollën mesazhin e dashurisë, faljes, mirëkuptimit, të vazhdimësisë dhe të ecjes përpara.
I prekur nga fjalët, mikëpritja dhe respekti i treguar,i ftuari i nderit, krijuesi Visar Zhiti përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ai theksoi se Shqipëria nuk është gjeografi, por shpirt, ndjenjë punë dhe përkushtim dhe vlerësoi Shoqatën “ Bijtë e shqipes”, bijtë e vërtetë të shqiponjës, si një faktor i rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve,duke vlerësuar rëndësinë e punës që bëhet për ruajtjen e gjuhës shqipe te të rinjtë. Sipas tij gjuha duhet të mbrohet se është atdhe, histori, kulturë.
Z. Visar Zhiti përshkroi emocionet që i sollën rrëfimet e të pranishmëve. Midis të tjerash z. V. Zhiti përmendi se si krijuesit e guximshëm krijuan desidencën në Shqipëri edhe kur nuk u lejohej. Duke u ndalur te roli i Diasporës Shqiptare në USA, ai vlerësoi si më të fuqishmen diasporë që ndjek shembullin e A. Pipës, F. Konicës, F. Nolit,etj . Kemi përgjegjësinë që ta jemi qytetarë të Amerikës, por si shqiptarë të kthejmë sytë nga vendi ynë ,ta kritikojmë por jo ta shajmë, -theksoi ai -duke marrë si modelin më të mirë, Nënë Terezën që kurrë nuk mohoi origjinën e saj. Vepra “Këpuca e aktorit” e cilësoi si një bashkëpunim i shqiptarëve në Chicago dhe prona e të gjithëve.
Urimi i Visar Zhitit në fund të fjalës ishtë domëthënës: Këtu në USA, qofshim gjithmonë bashkë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë nën këta dy flamuj të mëdhenj ( shqiptarë dhe amerikan)!
Kryesia e Shoqatës i kishte akorduar z.Visar Zhitit titullin Anëtar Nderi për kontributin si shkrimtar, poet, gazetar, përkthyes, diplomat, intelektual dhe qytetar i palodhur në shpalosjen e vlerave historike-kulturore- artistike si dhe për forcimin e marrëdhënieve Diasporë –Atdhe.
Shumë emocion do të mbarte dhënia e autografëve nga autori për të pranishmit, kujtimi fotografik me këtë krijues kaq të rëndësishëm dhe tepër të vlerësuar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si miq të mirë dhe sipas traditës sonë do të vazhdonim të bisedonim deri vonë duke darkuar së bashku. Burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shemben, por jeta mbetet dhe katedralja e letësisë është më e parrëzueshmja se të gjitha. Të bekuar ata që ndërtojnë denjësisht këtë katedrale si Visar Zhiti.
Rudina Bani.
N/kryetare e “Shoqatës Bijtë e Shqipe” Filadelfia