Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, “Albanian-American Dual Language and Culture” dhe Shkolla “Children of the Eagle” promovuan librin “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë”. Mësues, studiues, gazetarë, historianë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikanë e kthyen këtë promovim libri në një festë madhështore patriotike.
Një mbrëmje e veçantë nën drejtimin e gazetares Marjana Bulku dedikuar mësimit të gjuhës sonë kombëtare dhe identitetit tonë kombëtar zgjoi shumë interes dhe u mirëprit jashtëzakonisht mirë prej të pranishmëve. Të kontribuosh në shoqëri për të ruajtur gjuhën, vlerat historike dhe kulturore nderon secilin prej nesh dhe dëshmon haptazi dëshirën dhe pasionin e madh për të kontribuar në brezat e ardhshëm për ruajtjen e vlerave gjuhësore e historike dhe identitare të kombit tonë.
Bulku duke bërë një përmbledhje të aktiviteteve u shpreh: “Sot jemi mbledhur për të promovuar një libër i cili për hir të së vërtetës nuk është thjesht një libër por një zinxhir veprimtarish dhe aktesh sistematike të cilat do përpiqemi ti evidentojmë hallkë pas hallke.
Ishte viti 2014 kur zonja Drita Gjongecaj u shpall “Mësuesja e Vitit 2014”, vlerësim ky që AAWO Motrat Qiriazi e bëjnë çdo 7 Mars duke nderuar kështu mësues shqiptaro-amerikan me kontribute të veçanta në fushën e edukimit.
Unë e njoha Dritën ndoshta dy vjet më vonë në studion e ACTV ku ajo shpalosi projektin e saj mbi programin dygjuhësh. Dukej një projekt ambicioz dhe me shumë sfida. AADLC (Albanian-American Dual Language and Culture) dhe shkolla Shqipe “Children of the eagle“ do të merrnin jetë falë ideve dhe kontributeve të shumë aktorëve, por më së shumti falë këmbënguljes së ideatores zonjës Drita Gjongecaj.
Dhe fill pas kësaj ecurie produktive u organizua Seminari i Parë mbi “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat e Diasporës”. Ndodhi pikërisht këtu në “Vatër”, e atëherë pak kush e mendonte se kjo ngjarje do të shndërrohej në traditë. Seminari i dytë u zhvillua në konsullatën e Kosovës, dhe fill pas kësaj veprimtarie doli në shtyp publikimi i punimeve të seminareve.
Të ruash materialet, ti përmbledhësh ato, ti publikosh në një botim serioz është një investim që i shërben një komuniteti që i tejkalon muret e klasës, pra nuk i takon vetëm mësuesve e nxënësve por shumë më tepër se kaq.
Pandemia na detyroi që seminarin e tretë ta zhvillojmë online, ishte një përvojë e cila krahas vështirësive na mundësoi prezencën e personaliteteve të cilët nuk do kishim pasur rast ti kishim fizikisht prezent ndofta edhe për arsye distancash dy prej tyre sot i kemi edhe sot, Nderim.
Seminaret online vazhduan të ndërveprojnë në ndihmë të mësuesve duke përforcuar e shkëmbyer përvoja te reja mbi metodat e mësimdhënies tashmë në kushte digjitale, metoda, arritje për mësues, nxënës, prindër, studiues dhe hartues programesh mësimore.
Miqtë e AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the eagle” erdhën duke u rritur krahas veprimtarive që kjo organizatë ka zhvilluar në këto 5 vjet në komunitetin shqiptaro-amerikan .
Sot ky promovim libri na mbledh bashkë të gjithë aktorëve dhe faktorëve që kanë rol dhe peshë në ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës shqipe jashtë territoreve shqiptare.
Ndaj dhe vlera e veprimtarive të tilla e tejkalon vendin dhe momentin pasi i shërben një misioni që nuk shteron kurrë atë të perspektivave të gjuhës amtare në kushte të emigrimit intensiv
Ish-gazetari i Zërit të Amerikës z.Frank Shkreli u shpreh në promovimin e librit “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë” se: “Botimi që sot promovojmë përmbledh një punë të shkëlqyer të bërë me pasion dhe dashuri të veçantë për ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ky punim është një kontribut i çmuar në dobi të mësimit e zhvillimit të gjuhës shqipe në diasporë. Arritjet e deritanishme janë mbresëlënëse dhe perspektivat shumë premtuese në kultivimin e gjuhës shqipe si një mision fisnik dhe kombëtar” tha ndër të tjera z.Shkreli.
Ambasador Mal Berisha përgëzoi botueset për arritjet që vijnë të shpalosura në një botim kaq të rëndësishëm për mësimin shqip në diasporën e Amerikës. Z.Berisha u ndal të rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë dhe rëndësia e figurave kombëtare si pikë referimi për shqiptarët e diasporës. Z.Berisha solli për pjesëmarrësit një eksperiencë personale gjatë shërbimit diplomatik në Londër kur u vendos busti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit. Ai solli edhe një shembull shumë interesant me arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e vjetër në Turqi si modele të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Studiuesi Dr. Paulin Marku u shpreh se: “Fillimet e shkrimit shqip lidhen me botimin e Mesharit te Gjon Buzukut ne shekullin e XVI me alfabet latin. Një moment kulminant i rëndësishëm për fatet e gjuhës shqipe ishte edhe përcaktimi i alfabetit te gjuhës shqipe me germa latine ose arabe. Kongresi i Manastirit është një akt i rëndësishëm historik kombëtarë, mbledhja e 50 delegateve ku vetëm 32 prej tyre kishin te drejte vote, nga klube e shoqëri kulturore te ndryshme, nga Sofja, Bukureshti, arbëresh nga Italia dhe përfaqësues nga koloni shqiptare te ShBA. E cilësova Kongresin e Manastirit se është një ngjarje e rëndësishme historike kombëtare sepse aty u përcaktua unifikimi i alfabetit dhe u hartua programi kombëtar shqiptar dhe u vendos një alfabet me germa latine ne rrugëtimin historik “Një komb, një gjuhë” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku.
Doktorante Arjeta Ferlushkaj u shpreh se: “Ky libër i kushtohet të gjithë mësuesve dhe dashamirësve të gjuhës e kulturës shqiptare, në mënyrë të veçantë atyre të Diasporës, kudo ku ata jetojnë e veprojnë. Nuk kemi synuar të bëjmë një libër-abetare, as nuk kemi pretenduar se libri do të shteronte të gjitha problematikat që ngërthen mësimi i një gjuhe amë në diasporë. Por ama, ne kemi motivimin dhe pretendimin që kjo nismë e ky botim i parë të frymëzojë për atë librin-abetare shumë të dëshiruar për mësuesit në diasporë dhe aspirojmë e punojmë që të kontribuojmë në zvogëlimin e pengesave, vështirësive dhe problematikave që hasen gjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhës shqipe në diasporë, me fokus më të përqëndruar në atë të Amerikës” shpregoi Doktorante Arjeta Ferlushkaj.
Zonja Mimoza Hasanbelliu analizoi disa faktorë të raportit të gjuhës shqipe me fëmijët në familjet shqiptare dhe u shpreh se: “Në shkollat publike të NY ka kordinator te prinderve qe mban lidhjet me familjet e organizon aktivitete te ndryshme edukative e profesionale me prinderit. Mendoj se kjo duhet te praktikohet edhe ne shkollën shqipe. Si kryetare e bordit te TV Albanian Culture në këto 24 vjet, kam konstatuar qe edhe pse fëmijët këndojnë, vallëzojnë, recitojnë në shqip në aktivitetet e festivalet e shumta kulturore te organizuara nga shkollat shqipe ne rrethet e te tre shteteve (NY< NJ< CT), kur vjen moment te komunikojnë me prindin para, gjate apo pas shfaqjes ata preferojnë te përdorin gjuhën angleze” citoi zonja Hasanbelliu.
Editori epokal i Diellit z.Dalip Greca që drejtoi Diellin e Vatrës për 12 vite u ndal në rëndësinë e zhvillimit dhe mësimit të gjuhës shqipe në diasporën e Amerikës dhe përpjekjet e pandërprera të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Z.Greca u ndal te dy editorët e Diellit, Kostë Çekrezi dhe Nelo Drizari të cilët kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe duke botuar fjalorë të gjuhës dhe gramatikës. Z.Greca kujtoi për të pranishmit edhe një moment të rëndësisëm për zhvillimin e mësimin shqip kur Vatra solli mësues nga Tirana në Uster për zhvillimin e mësimit shqip.
Mësuesja Drita Gjongecaj drejtuese e shkollës shqipe “Children of the Eagle” tha ndër të tjera se: “Ky libër është rezultat i përkushtimit dhe punës së një grupi profesionistësh dhe sjell metoda të mësimit të gjuhës dhe problematika me të cilat përballemi në ruajtjen e e gjuhës e kulturës sonë. Ai sjell materiale të vlefshme për mësuesit e gjuhës por edhe prindërit dhe cdokend që dëshiron të japë më shumë për ceshtjen e identitetit kombëtar. Puna jonë konsiston në shtimin e qendrave të mësimit të gjuhës e deri në përfshirjen e saj në arsimin publik që do ta pozicionojë gjuhën shqipe në mënyrë institucionale në arsimin shtetëror të NY” përfundoi zonja Gjongecaj.
Mësuese Mjaftime Dushollari u ndal te rëndësia e mësit shqip të fëmijët shqiptarë në diasporë si themel i forcimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Për të pranishmit dy nxënëse të shkollës shqipe “Children of the Eagle” Joana Koka dhe Klaudia Koka recituan dy poezi kushtuar Atdheut dhe Nënë Terezës.
Dritan Koka një prind i devotshëm foli rreth vëshirësive dhe sakrificave për mësimin e gjuhës shqipe përgjatë pandemisë globale.
Në përfundim të ceremonisë së promovimit të librit: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat shqipe të Diasporës”, Aleksandër Nilaj nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” dhuroi 25 çanta dhe materiale shkollore për nxënësit e shkollës shqipe “Children of the Eagle”. Z.Nilaj u asistua në shërbim dhe transport nga anetaret dhe vullnetarët e shoqatës së tij të bamirësisë Fran Marku, Viktor Popaj, Pllumb Berberi, Hysni Lika dhe Ardjan Mezini. Ceremonia e promovimit vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes në një koktejl të përgatitur dhe dhuruar bujarisht nga patritoti shqiptar Toni Musaj i cili prej vitesh mbështet përzëmërsisht aktivitetet e Vatrës dhe aktivitete të tjera kulturore e kombëtare në New York dhe më gjerë.
“Gazeta Diaspora Shqiptare”