(E përditësuar)
Tiranë, 7 tetor 2024 – Në Tiranë sot në mbrëmje u mbajt një protestë e opozitës, e organizuar nga Partia Demokratike, me mbështetjen e disa partive të tjera opozitare.
Pjesa më e madhe e protestuesve ishin grumbulluar para selisë blu, nga ku bashkë me deputetë dhe zyrtarë të PD-së u nisën drejt ndërtesës së Kryeministrisë.
Në krye të protestuesve që u nisën nga selia e PD-së ishin Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të partisë.
Atyre iu bashkua më pas edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili u printe simpatizantëve të PL-së që ishin tubuar para selisë partisë.
Rreth orës 19, protesta para ndërtesë së Kryeministrisë u përshkallëzua në përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të policisë. Fillimisht, një grup protestuesish u përplasën me efektivët e policisë në perimetrin e sigurisë së ndërtesës. Më pas, protesta u përshkallëzua më keq me hedhjen masive të mjeteve të forta, koktejeve molotov dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Zëdhënësi i Policisë u ka bërë thirrje protestuesve përmes megafonit që të ndalojnë aktet e dhunës dhe të shmangin sulmet ndaj forcave të rendit, por thirrjet e tij hasën në “vesh të shurdhër”. Për shkak të shpërthimeve, pema përpara Kryeministrisë mori flakë, por zjarrfikësit arrittashuajnë zjarrin në kohë.
Më pas, protestuesit shkuan drejt selisë së Partisë Socialiste. Gjatë rrugës, ata ia vunë flakën një stacioni autobusi, si edhe disa kazanëve të mbeturinave. Protestuesit e ulmuan me kokteje molotov selinë e PS-së. Një banderolë e madhe me foton e kryeministrit Edi Rama, në fasadën e hyrjes së selisë mori flakë. Policia ndërhyri për të shuar zjarrin dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Të njëjtat pamje u përsëritën më pas vetëm pak më tutje, pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, dhe pak minuta më pas edhe para Bashkisë së Tiranës. Edhe aty policia përdori gaz lotësjellës dhe pompat e ujit për të zbrapsur protestuesit, të cilët mësynë edhe ndërtesën e sallës së Kuvendit, ku hasën në rezistencën e kordonit të pjesëtarëve të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të njësisë Shqiponjat, të cilët parandaluan ndonjë sulm të mundshëm ndaj ndërtesës.
Protesta e sotme e opozitës ishte pjesë e mobilizimit të Partisë Demokratike për të shtuar presionin ndaj Qeverinë dhe Kryeministrit Edi Rama për formimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve në ardhshme parlamentare.
Protesta, e cila konsiderohet si nismë e “mosbindjes qytetare” që është paralajmëruar të zgjasë “deri në dorëheqjen” e kryeministrit Edi Rama, u organizua në një periudhë shumë të ngarkuar me tensione politike, sidomos pas dënimit me burg të deputetit të PD-së Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor “për kallëzim të rremë”, për publikimin e një audiopërgjimi që e implikonte ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa, në organizim të trafikut ndërkombëtar të drogës.
(Sipas euronews.al, Panorama.com.al dhe Zëri i Amerikës)