Nga Ruben Avxhiu
Tre-katër vjet më parë, kur ishte ende në opozitë, Partia Socialiste fitoi pikë në elektorat duke kundërshtuar me forcë një projekt për riciklimin e plehrave të vendeve të tjera në Shqipëri.
Një vend me sipërfaqe të kursyer që përballet me shkatërrime të papara njerëzore të mjedisit në 20-25 vitet e fundit, mund të mos jetë bujtësi ideal i një industrie të tillë.
Ka megjithatë argumente legjitime në favor të industrisë së riciklimit të plehrave.
Përveçse është shumë fitimprurëse dhe me arsye për ta tërhequr në një vend të prapambetur ekonomikisht, duke vendosur ligje e rregullore të forta për standardet e riciklimit si dhe teknologji moderne, nuk ka asnjë arsye që popullata të trembet nga pasojat anësore të proceseve.
Po këto garanci nuk mjaftojnë në një vend ku mungon besimi te institucionet dhe te zbatimi i ligjit. Në një vend ku një pronar restoranti apo biznesi të vogël mund të bëjë që të mbyllin njërin sy inspektorë të korruptuar të shtetit, imagjino fuqinë e një biznesi miliardash, me përkrahjen e shtetit sesa epërsi ka nëse refuzon në një pikë të caktuar t’u nënshtrohet rregulloreve që i ngatërrohen nëpër këmbë.
Ndoshta biznesi në këtë industri mund të ketë etikë shumë më të lartë pune dhe risk shumë më të madh sesa një biznes i vogël që margjina e fitimit e bën që të rrezikojë me ligjin. Bizneset ndërkombëtare nganjëherë kanë etikë më të fortë sesa politikanët tanë. Po ky është një vend besimvrarë ku fantazia që shkakton panik mund të përndizet lehtë.
Një kujtim makabër për shumë shqiptarë është tragjedia e Gërdecit. Çmontimi i municioneve ishte gjithashtu një nisme që garantohej se nuk do të bënte dëme për popullatat nëse respektoheshin të gjitha rregullat e standardet. Po mjafton një shkelje, një hutim, një korruptim dhe pasojat bëhen shokuese.
Problemi i çmontimeve dhe asgjësimi i municioneve të vjetra ishte madje një problem shqiptar, që herët a vonë duhej kryer prej nesh. Pavarësisht se në proces, u mendua të nxirrej edhe fitim prej shitjes së municioneve të tepërta. Kurse problemi i plehrave është i mbartur. Ne po ftojmë një problem nga jashtë.
Sigurisht, nëse nuk e bëjmë, mund të mos modernizojmë asnjëherë as riciklimin e plehrave tona. Mund të humbasim një shans ekonomik nga ato që u vijnë rrallë vendeve si ne etj.
Qeveria Rama mund t’i ketë pasur ose jo të gjitha këto parasysh, kur vendosi të përqafonte propozimin për të cilin dikur kishte ngritur zërin në qiell. Ambjentalistët, aleatë të natyrshëm të të majtës, kanë arsye të ndihen të tradhëtuar. Nga ana tjetër nuk është çudi që qeveria vërtet të jetë treguar e kujdesshme për të përfshirë në projektligj të gjitha masat teknike për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe të mjedisit.
Po nëse ka menduar se kjo do të mjaftojë, është treguar ose naive ose mospërfillëse ndaj realitetit.
Naive sepse nuk ka kuptuar që qëndresa ndaj importit të plehrave, pavarësisht nga mbulesa e arsyetimeve, nuk bazohet në llogjikë por në frikë e mosbesim. Dhe këto të dyja nuk ndryshohen me shtesa teknike ligjore.
Mospërfillëse sepse ka menduar ndoshta se PD, opozita apo ambjentalistët e forca të tjera qytetare në vend nuk mund të ngrenë të njëjtën stuhi si në kohën e propozimit për armët kimike nga Siria apo për vetë ligjin e importit të plehrave të propozuar nga qeveria Berisha.
Më pak se një vit larg zgjedhjeve të reja politike, PS dhe LSI (kjo e dyta, ndoshta thjesht për rastësi ka qenë gjithmonë në krahun e qeverisë kur është ngritur problemi) nuk mund të mos e marrin në konsideratë nëse çështja do të ndikojë në votën e njerëzve.
Mbase e mospërfillin se besojnë se, kur janë bashkuara, PD nuk mund të fitojë kurrë. Mbase mendojnë se do të kalojë inati shpejt e njerëzit do të kthehen për të votuar për gjërat për të cilat votojnë gjithmonë.
Duke ia kujtuar PD-së se ajo vetë ishte dikur në favor të kësaj industrie, socialistët kanë tani mundësinë që në sytë e popullit të tregojnë se më së paku të dy krahët e politikës nuk kanë shumë dallim. Kjo mund të sfumojë si çështje elektorale ndikuese importin e plehrave. Në fund të fundit, të dyja u përpoqën ta legalizojnë në pushtet dhe ta ndalojnë në opozitë.
Sali Berisha kishte një argument të kuptueshëm që pikëpamjet e tij kanë ndryshuar tani që është informuar më mirë. Ashtu si Edi Rama ka një argument që ky propozim tani ka të gjitha elementët të mbrojtjes mjedisore që mungonin në propozimin qeverisë së PD-së.
Të dyja janë pozicionime legjitime, ashtu si është legjitim edhe mosbesimi i protestuesve të sotëm te autoritetet shqiptare për të zbatuar ligjet e tyre. Sigurisht, jashtë disa rretheve të edukuara dhe të shqetësuara individësh aktivistë, mjedisi nuk ka shumë rëndësi në Shqipëri, por e fuqizuar me mbështetjen e opozitës së radhës, propozimi mund të sabotohet sërish.