Podgoricë, 8 prill 2021 – Të enjten në Podgoricë u zhvillua një protestë qytetare para ndërtesës së qeverisë së Malit të Zi, pas paralajmërimeve të qeverisë së re se do të miratojë një projektligj që do të të lehtësonte marrjen e shtetësisë. Protestuesit u mblodhën nga disa qytete të Malit të Zi me flamuj kombëtar dhe hodhën slogane kundër qeverisë aktuale.
Gjatë protestës u shënua edhe një incident ku një grup të rinjsh u përpoqën ta ndalë autoveturën zyrtare ku gjendej vajza e kryeministrit malazez.
Për këtë ngjarje reagoi kryeministri Zdravko Krivokapiq, i cili tha se ngjarje të tilla të pahijshme, sic e konsideroi, nuk do të ndodhin më.
“Sot është sulmuar një veturë zyrtare ku ishte vajza ime, përndryshe person i mbrojtur. Në këtë vend do të ketë rend dhe ligj me të cilin nuk jeni mësuar”, shkruante zoti Krivokapiq në Twitter.
Projekligji që propozohet do t’u jepte atyre personave me leje qëndrimi të përhershme dhe të përkohshme të drejtën e votës dhe të drejtën e aplikimit për shtetësi, pasi me ligjin aktual, njerëzit që jetojnë në Malin e Zi me leje qëndrimi nuk kanë të drejtë të votojnë ose të kenë prona.
Ligji aktual thotë se shtetësia mund t’i jepet vetëm një personi që ka pasur qëndrim të ligjshëm në vend për më shumë se dhjetë vjet dhe ka hequr dorë nga shtetësia e një vendi tjetër.
Opozita malazeze sheh një aspekt politik në këtë propozim. Sipas tyre, ndryshimi i ligjit do t’u jepte të drejtën e votës një numri të madh të serbëve, që kanë ardhur si refugjatë të luftës nga vendet e ish-Jugosllavisë.
Ditëve të fundit, situata në Mal të Zi është tensionuar edhe nga fakti se ministri i Drejtësisë, Vladimir Leposaviq gjatë një seance parlamentare ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”, duke vënë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës së Hagës. Deklarata ka ngjallur reagime të faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri Krivokapiq ka kërkuar dorëheqjen e tij. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp zoti Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në Parlamentin e Malit të Zi.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)