Nju Jork, 25 prill 2024 – Disa universitete në Shtetet e Bashkuara po përballen çdo ditë me protesta pro-palestineze. Studentët po demonstrojnë kundër luftës mes të Izraelit dhe Hamasit dhe kërkojnë që ndihmat humanitare të lejohen të arrijnë në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, ndërsa disa studentë dhe demonstrues janë arrestuar, duket se protestat nuk po shuhen.
Studentët pro-palestinezë protestojnë në Universitetin ‘Columbia’ në Nju Jork ndonëse administratorët bëjnë thirrje për heqjen e tendave që kanë ngritur protestuesit. Negociatat se si të shpërndahet turma janë duke u zhvilluar.
Javën e kaluar më shumë se 100 studentë u arrestuan në universitete në të gjithë vendin. Protestat po mbahen në një kohë kur administratorëve të shkollave u kërkohet të marrin masa kundër antisemitizmit.
Zëri i Amerikës ishte i pranishëm gjatë arrestimit të studentëve në Universitetin ‘Columbia’ të Nju Jorkut.
“Unë jam këtu së bashku me miqtë e mi për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe që ndihmat humanitare të arrijnë në Gazë”, tha një protestuese e cila nuk pranoi të japë emrin e saj.
Profesorja e arkitekturës Mary McLeod shprehu pikëpamjet e saj për masat që po ndërmerren për demonstratat.
“Nuk e di pse u duhej të sillnin policë, t’u vendosnin pranga studentëve dhe pse nuk mund të pranonin disa çadra, ku studentët ishin krejtësisht të qetë”, thotë profesorja McLeod.
Një studente, e cila tha se është hebre nga Argjentina, nuk pajtohet.
“Është shumë e frikshme. Nuk mund të përqendrohem gjatë mësimit, sepse ata po bërtasin gjithë ditën. Kam frikë të them se jam hebre sepse aty ka ekstremistë. Ata mbanin fotografi në mbështetje të Hamasit”, thotë Ruth Katia Robles, studente e Universitetit ‘Columbia’.
Protestat kanë vazhduar të përhapen edhe në universitetet e tjera.
Të martën, një kamp me tenda u ngrit në Universitetin e Kalifornisë, ‘Berkeley’ në shenjë mbështetjeje për të arrestuarit e një dite më parë në universitetet ‘Columbia’ dhe ‘Yale’.
Në Uashington, studentët në Universitetin Amerikan protestuan kundër politikave të brendshme që ata thonë se rezultuan nga demonstratat pro-palestineze në mbarë vendin dhe tani kufizojnë lirinë e tyre të shprehjes.
“Është një politikë e re që ndaloi protestat në ambiente të mbyllura, ndonëse ato janë mbajtur shpesh më parë. U kufizuan gjithashtu broshurat dhe materialet që mund të vendosen në universitet dhe kush mund ta bëjë këtë”, thotë Julia Comino, sekretare e Shoqatës së Studentëve të Universitetit Amerikan.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Universiteti Amerikan tha se direktivat synojnë të rrisin sigurinë për studentët dhe se administrata do të vazhdojë të mbështesë të drejtat dhe përgjegjësitë e shprehjes së lirë.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson kërkoi dorëheqjen e presidentes të Universitetit ‘Columbia’, Minouche Shafik, gjatë një vizite në këtë universitet të mërkurën.
Të martën, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Hakeem Jeffries dënoi të gjitha format e antisemitizmit dhe kërkoi forcimin e përpjekjeve për të bashkuar komunitetet.
Pas fjalimit me rastin e Ditës së Tokës të hënën, Presidenti Biden u tha gazetarëve se ai dënon protestat antisemite dhe, siç e tha ai, “ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me palestinezët”.
Një eksperte për çështjet fetare dhe konfliktet thotë se institucionet akademike kanë nevojë për vende ku studentë të kenë mundësi për diskutime domethënëse.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për palët e përfshira dhe të kuptojmë se ka disa çështje në lidhje me drejtësinë që bashkojnë hebrenjtë, palestinezët, myslimanë dhe studentët e krishterë. Çështja është se ka një keqkuptim të thellë se çfarë është dhe si përkufizohet antisemitizmi”, thotë Atalia Omer, profesore në Universitetin ‘Notre Dame’.
Ndërkaq, numri i viktimave në Gazë po rritet dhe nuk ka asnjë shenjë se lufta midis Izraelit dhe Hamasit do të përfundojë së shpejti.
(Zëri i Amerikës)