Protestë e serbëve në Mitrovicën e Veriut kundër arrestimit të katër të rinjëve

Prishtinë, 11 shtator 2024 – Më 11 shtator, qindra pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuar para stacionit të policisë në Mitrovicën e Veriut në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të katër të rinjve serbë nga Policia e Kosovës një ditë më parë.

Policia njoftoi se katër të rinjtë serbë janë arrestuar për shkak se I kanë sulmuar dy zyrtarë policorë, njërit prej të cilëve i janë shkaktuar lëndimore trupore.

Disa aktivistë serbë dhe qytetarë të Mitrovicës së Veriut kanë thënë se të rinjtë janë rrahur nga zyrtarët policorë, por Policia e Kosovës ka deklaruar se gjatë arrestimit është përdorur forcë minimale për t’ua vënë prangat.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin “Lironi fëmijët tanë” dhe “Policia e Kurtilandit”, si dhe përdorën bilbila për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Në protestë ishte i pranishëm edhe anëtari i partisë Demokracia Serbe, i cili pretendon se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar.

Më parë, për arrestimin e të rinjve reagoi edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, duke theksuar se “brutaliteti i Policisë së Kosovës ndaj serbëve, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, është bërë përditshmëri në veri të Kosovës”.

Reagime ka pasur edhe nga Beogradi, duke pretenduar se Policia e Kosovës i ka rrahur të rinjtë, ndërsa nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se ekziston një video e ruajtur që provon “torturën”.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Mitrovicës ua ka caktuar katër të arrestuarve masën e arrestit shtëpiak.

Vvokati i të dyshuarve, Shyqyri Syla, njoftoi se Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të dyshuarit, por gjykata ka vendosur që ata të mbahen në arrest shtëpiak.

Avokati i njërit nga të arrestuarit tha se të dyshuarit kanë kërkuar falje publike për fyerjen e zyrtarëve policorë, por nuk i kanë sulmuar.

(r.m.)