Prishtinë, 6 qershor 2022 – Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë sot u mbajt një protest kundër mospërfshirjes së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në projektligjin për pagën minimale.
Pjesëmarrësit e protestës, shumë prej të cilëve mbanin në duar flamujt me simbolin e UÇk-së, brohoritnin “UÇK, UÇK, “Për Kosovë jetën kem m’e dhanë”, “Mashtruesit jashtë”, etj.
Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së e organizoi protestën për të ushtruar presion ndaj Kuvendit të Kosovës që të mos e miratojë projekt-ligjin në të cilin nuk përfshihen kategoritë e luftës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se veteranët ndihen të diskriminuar për shkak të anashkalimit të tyre.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës dhe se janë detyruar të dalin në protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe jemi detyruar që pakënaqësitë tona t’i shprehim në protestë”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku në protestën e organizuar sot, tha se pushteti aktual po dëshiron ti largojë veteranët nga paga minimale.
“Ky pushtet po dëshiron që ti heq veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale. Deputetët duhet t’ju shërbejnë interesave të atyre që i sollën në ulëse të kuvendit, e jo interesave të politikës ditore”, u shpreh Klinaku.
“Sot dëshmojmë se tentimet për mohimin e gjithë kontributit dhe sakrificave të luftëtareve të UÇK-së nga ana e institucioneve nuk do të kenë sukses”, theksoi ai.
Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dolën në oborrin e Kuvendit të Kosovës për t’u solidarizuar me protestuesit.
Ganimete Musliu tha se protesta e veteranëve është e drejtë dhe se ajo ndjen keqardhje për gjendjen në tëcilën janë ata.
“Protesta e tyre është shumë e drejtë, është protestë paqësore. Unë jam me ta dhe bashkëndiej me ta. (Veteranët) po protestojnë për dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur. Unë sot ndiej keqardhje që i shoh në këtë gjendje. Jam këtu thjesht të bashkëndiej me ta”, tha ajo.
Hajdar Beqa tha se nga qeveria do të kërkojë ta tërheqë projektligjin (për pagën minimale) që i shtyri veteranët të protestojnë, ndërsa Bekim Haxhiu tha se projektligji është diskriminues dhe se ai dhe deputetët tjerë nuk do të lejojnë që ai ligj të miratohet nga Kuvendi.
”Do të vazhdojmë ta mbështesim kërkesën tuaj dhe ky projektligj diskriminues nuk do të lejohet të kalojë në Kuvend. Qeveria të kthjellohet dhe ta tërheqë këtë projektligj diskriminues”, u shpreh Haxhiu.
Një grup i protestuesve, midis të cilëve u panë edhe eksponentë të partive politike opozitare, u përpoqën të hyjnë me dhunë në ndërtesën e Kuvendit dhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ku duhet të votohej për projektligjin e kontestuar prej tyre. Ata i thyen rrethojat dhe u futën në oborrin e Kuvendit të Kosovës, por u penguan të hyjnë në ndërtesë nga pjesëtarët e policisë.
Disa protestues sulmuan me gurë e mjete të forta pjesëtarët e policisë të barrikaduar para hyrjes në ndërtesën e kuvendit. Gjatë përplasjes se protestuesve me policinë pati edhe hedhje të gazit lotësjellës.
Policia e Kosovës njoftoi se dy zyrtarë policorë dhe një qytetar kanë pësuar lëndime gjatë protestës.
“Si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor. Po ashtu sipas informacioneve të deritanishme një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gazit të hedhur”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia mohoi se zyrtarët e saj kanë përdorur gaz lotsjellës për të prapësuar protestuesit më agresivë. Sipas saj, gazi lotësjellës është hedhur nga disa persona që gjendeshin në turmën e protestuesve.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon se në asnjë rast apo rrethanë nuk është përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Protesta përfundoi ku u mor vesh se projektligji për pagën minimale nuk u hodh në votim në kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.
Por, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku paralajmëroi vazhdimin e protestave të veteranëve deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Jemi kategori ligjore, në momentet e fundit nga ana e Qeverisë na është sakatosur ligji. Kemi shpresë që ky ligj mos të miratohet në Kuvend. Do të vazhdojmë me protesta deri në realizimin e kërkesave tona”, tha ai.
Sipas Ligjit për veteranët e UÇK-së shuma e pensioneve të ture nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale në Kosovë, e cila aktualisht është prej 130 deri 170 euro, varësisht nga mosha. Sipas të njëjtit ligj, pensioni i veteranit është prej 120 deri 250 euro, varësisht prej kategorisë. Në kategorinë e parë janë veteranët e angazhuar në luftë nga viti 1991 deri më 5 mars 1998, në kategorinë e dytë bëjnë pjesë veteranët e angazhuar pas datës 5 mars 1998, kurse në kategorinë e tretë përfshihen personat e mobilizuar pas datës 31 mars 1999.
Por, në projektligjin për pagëm minimale (Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore) të miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk është përfshirë rritja e pensionit të veteranëve sipas rritjes së pages minimale, e cila parashihet të rritet në 250 euro neto.
Ky projketligj parasheh ndryshimin e Ligjit për Veteranët. Qeveria tha se do të vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve “varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”.
(r.m.)