PROTESTË GJITHËKOMBËTARE ANTI-SERBE ANTI-RUSE PRO-AMERIKANE

-PD e reformuar nën udhëheqjen e liderit historik demokrat Sali Berisha, e vetmja shpresë për ndryshime në Shqipëri

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

         Protesta e datës 20 Dhjetor 2021 në ora 4 pasdite në Tiranë është me rëndësi jetike për ekzistencën dhe mirëqënien e kombit shqiptar.

         Ardhja e armikut dhe urrejtësit të përbetuar të popullit shqiptar, bashkëpuntorit më të afërt të kriminelit Milosheviç Aleksandar Vuqiç në Tiranë paraqet kulmin e nënçmimit të mbarë kombit shqiptar. Është shkelje e drejtpërdrejtë mbi gjakun e qindra-mijërave viktimave të regjimeve barbare serbe, që nga zbritja e tyre nga shpellat e Karpateve dhe okupimi i tokave Ilire.

         Nuk ekziston kurrëfarë dileme se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i shitur dhe nën kontroll të plotë të kriminelit Vuqiç. Bisedat e fshehta, por edhe sjelljet e hapura të tij gjatë viteve të fundit tregojnë se kishte marrëveshje me te për faljen e krimeve serbe dhe ndarjen Kosovës. Pas dështimit të këtij projekti të ndyer anti-kombëtarë dolën me idenë për një projekt tjetër më perfid, kinse për “Ballkan të hapur” që nënkupton largimin e Shqipërisë nga Evropa dhe Amerika dhe futjen e saj në zonën e interesit Serbo-Ruso-Kinezo-Iranian.

         Ardhja e Edi Ramës në krye të PS-së dhe marrja e pushtetit për tri mandate ishte fatëkeqësi kombëtare. Me hajni, dallavere, forma të ndryshme të korrupsionit dhe kriminalitetit ia arriti ta kompromitojë proçesin zgjedhor duke e  futur Shqipërinë në kontroll të plotë të bandës së tij udhëheqëse.

         Ramës këtë ia mundësoi edhe tërhjekja nga lidershipi i PD-së i liderit anti-komunist Sali Berisha dhe ardhja në krye e një politikani të paaftë, Lulzim Basha. Kjo, edhe me fajin e Sali Berishës. Edhe pse politikan i dështuar, Basha po mundohet të mbetet me zor Kryetar i PD-së me ndihmën e Edi Ramës dhe një pjese shumë të vogël të anëtarësisë së PD-së. Nuk e ka të qartë fare se populli është ai që mund ta jep dhe ta heq pushtetin, jo Edi Rama, as ambasadorët e shteteve tjera, qofshin edhe shtete mike.

         Shqipëria nënë është në një nevojë të dëshpëruar për ndryshime. Me të gjitha të mirat dhe të këqijat, Sali Berisha është në këtë moment i vetmi lider që mund të sjell ndryshime, të krijojë opozitë të vërtetë demokratike pro-amerikane, konservative, nacionaliste në Shqipëri dhe të ia ndalë turrin anti-shqiptarëve dhe anti-amerikanëve si Edi Rama, Vuqiçi dhe Putini.

         Shpallja e tij non-grata nga DASH, si e dyshimtë dhe pa fakte, sidomos përpjekja e Bashës për ta larguar nga grupi parlamentar i PD-së, pati ndikim pozitiv në kthimin e Sali Berishës në jetën politike të Shqipërisë. Populli shqiptar ka vuajtur shumë dhe është shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive. Për këtë arësye, përkrahja nga populli demokrat i Shqipërisë për Sali Berishën u shtua shumëfish, gjë që është e dukshme nga pjesëmarrja masive në foltore dhe referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës.

         Të shpresojmë se do të ndodhë edhe në Shqipëri ngritja në pushtet e liderëve të kalibrit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, ardhja e të cilëve e shpëtoi shtetin e Kosovës nga ndarja dhe shkatërrimi. Të pakorruptuar, të aftë dhe të pakompromis, janë shpresa e vetme e ndërtimit dhe ngritjes së Republikës së Kosovës. Pritet nga lideri Sali Berisha, t’i gjej dhe afrojë kuadrot e tillë të cilët nuk i mungojnë as  Shqipërisë, e ata do të jenë në gjendje ta reformojnë dhe forcojnë PD-në që të bëhet e gatshme për ta marrë pushtetin.

         Politikanët tanë dhe të gjithë tjerët duhet ta kuptojnë se nuk është e thënë që të gjithë zyrtarët amerikanë duhet të jenë të mirë dhe pro-shqiptar. Edhe ata bëjnë gabime.Por, kushtetuta dhe demokracia e vërtetë amerikane jua gjenë vendin të gjithëve gjatë kohës. Të gjithë janë të përkohshëm. Mospajtimi me ndonjërin prej tyre është gjë normale siç ishte rasti me ish-Ambasadorin  pro-serb Grenell. Kjo nuk të bënë  automatikisht anti-Amerikan. Përkundrazi, në rastin e Grenell, ata që e kundërshtuan ate ishin pro-Amerikanët e vërtetë. Kjo spjegohet shumë thjesht, përkrahja e Serbisë është kundër interesave strategjike amerikane.

         Duhet filluar nga protesta e të Hënës, me sa më më shumë flamuj shqiptar dhe amerikan, me parulla pro-Amerikane dhe pro-Evropiane si dhe anti-Serbe dhe anti-Ruse. Pritet dhe shpresohet se kësaj proteste të madhe do t’i bashkangjiten shqiptarët e të gjitha Trojeve Tona dhe kushdo që ka mundësi nga Diaspora patriotike. Është moment historik për të jua treguar vendin Ramave, Vuqiçave dhe Putinave. Nuk ka force në botë që mund ta nënshtrojë kombin e bashkuar shqiptar.