Prishtinë, 29 gusht 2023 – Konflikti verbal me një grua në Graçanicë, më 19 gusht, u bë shkak që Burhan Ibrahimoviq, pjesëtar i komunitetit rom, i cili tash e tre vjet jeton në Prishtinë, të përfundonte, siç thotë, në prangat e Policisë së Kosovës.
Ai thotë se katër policë, të cilët e arrestuan në shtëpinë e prindërve të tij në Graçanicë dhe e dërguan në stacionin policor të kësaj komune – rreth 10 kilometra larg Prishtinës – “e rrahën shumë keq” brenda hapësirave të këtij stacioni, derisa ishte me pranga në duar.
Për këtë rast reagoi të martën Lëvizja për të drejtat e romëve, “Opre Roma Kosovo”, me një protestë në Graçanicë.
Dhjetëra njerëz u mblodhën me qëllim të, siç u tha, rritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, në shërbim të parandalimit të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Ibrahimoviq thotë se rastin e tij e raportoi në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, ku i konfirmojnë hetimet.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në gjuhën gjermane, për shkak se ai, përveç kësaj gjuhe dhe gjuhës së tij amtare rome, nuk e flet as gjuhën shqipe dhe as atë serbe.
Ibrahimoviq, më parë, kishte jetuar në Holandë dhe Belgjikë, ndërsa tash e tre vjet jeton në Lagjen Arbëria në Prishtinë.
Si erdhi deri tek arrestimi?
Më 19 gusht, siç rrëfen ai, ka qenë në një lokal, duke pirë me disa shokë të tij. Konflikti verbal me një grua, siç e përshkruan ai, të moshuar, kishte nisur për shkak të tualetit.
Një nga shoqëruesit e Ibrahimoviqit kishte shkuar në tualet, por ai ishte i zënë dhe, më pas, kishte urinuar pak hapa larg tij.
Siç thotë Ibrahimoviq, gruaja e moshuar kishte filluar t’i ofendonte për këtë arsye. Ai thotë se fillimisht nuk ua kishin vënë veshin ofendimeve, por gruaja nuk kishte ndaluar së bërtituri dhe ofenduari. Më pas, ky i ishte drejtuar asaj po ashtu me fjalë ofenduese, derisa po largohej bashkë me miqtë e tij nga lokali ku kishin pirë.
Siç shpjegon Ibrahimoviq, gruaja e kishte denoncuar në Policinë e Kosovës dhe, pas një kohe shumë të shkurtër, katër policë u gjendën para derës së shtëpisë së prindërve të tij në Graçanicë, ku ai kishte shkuar pak pas mesnatës.
Ai ishte prangosur dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Graçanicë, ku, siç thotë, i ishte shqiptuar një gjobë, por nuk specifikon më shumë.
Ibrahimoviq thotë se e kundërshtoi gjobën, duke kërkuar fakte nga zyrtarët policorë për arsyen e saj, si dhe duke i paralajmëruar se do të angazhonte avokat për mbrojtje.
Ai thotë se policët e kanë pyetur diçka edhe në gjuhën serbe, por se nuk ka kuptuar gjë.
Në këtë pikë, pas fjalosjes me policët, ai thotë se ata e kanë futur në një dhomë tjetër, ku edhe ka nisur dhuna ndaj tij.
“Njëri polic më ka rënë me grusht në shpinë, derisa tjetri më mbante. Një tjetër ma përplasi kokën për tavolinë katër herë. Nga kjo më është nxirë syri, si dhe pësova lëndime në shpinë”, thotë Ibrahimoviq.
“Kanë qenë katër apo pesë policë, nuk jam i sigurt. Gruaja ime ka qenë aty [në stacionin policor] dhe ajo mund të dëshmojë çdo gjë. Çdo gjë dëgjohej jashtë se çfarë po ndodhte. Më kanë rrahur shumë keq dhe më kanë kthyer sërish në atë qeli”, rrëfen Ibrahimoviq, duke shtuar se, pasi është liruar nga policia pas disa orësh, ka marrë trajtim mjekësor.
IPK: Rasti është në fazën e hetimit preliminar
Në raportin e Policisë së Kosovës, të datës 20 gusht të këtij viti, thuhet se “për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike” në Graçanicë, njësiti policor “ka ndaluar dhe sjellë në stacion policor të dyshuarin mashkull kosovar, i cili ka qenë në gjendje të dehur”.
Sipas këtij raporti, ai “i ka kanosur dy zyrtarë policorë”.
Policia thekson se, në konsultim me prokurorin dhe pas intervistimit të të dyshuarit, ky i fundit është liruar në procedurë të rregullt.
Ibrahimoviq thotë se nuk ka qenë në gjendje aq të dehur sa për të kanosur apo sulmuar policinë. Për më shumë, sipas tij, një gjë e tillë ishte e pamundur, sepse ai i kishte prangat në duar.
Ai konfirmon se rastin e ka denoncuar tashmë në Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK), duke thënë se nuk dëshiron që ndonjë person tjetër, i cilësdo përkatësi etnike qoftë, ta përjetojë atë që pretendon se e ka përjetuar ai.
“Sot [28 gusht] më ka kontaktuar një polic në gjuhën gjermane nga Hajvalia, nga Inspektorati Policor i Kosovës, dhe ai do t’i shikojë të gjitha videot dhe provat tjera. Unë, sot apo nesër, do ta jap dëshminë time”, thotë Ibrahimoviq.
Inspektorati i Policisë së Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar ankesën e Burhan Ibrahimoviqit dhe se rasti “është në fazën e hetimit preliminar”.
“Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga gjetjet e hetimit dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në deklaratën e këtij inspektorati.
“Policia i ka tejkaluar autorizimet”
Drejtuesi i Departamentit për komunikim në Lëvizjen Opre Roma Kosovo, Elvis Avdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se, pasi janë informuar për rastin e Ibrahimoviqit, e kanë vizituar atë për të kuptuar nga afër pretendimet e tij.
“Kemi shkuar te Burhani, e kemi pyetur pse, si dhe çfarë ka ndodhur. Policia, autorizimet e saj i ka tejkaluar… padrejtësisht. Kemi parë se ishte e nevojshme që të bëjmë një protestë, që t’i vetëdijesojmë të gjithë se të drejtat e njeriut dhe ligjet, të cilat ekzistojnë në Kosovë, nuk duhet të shkelen, e assesi nga Policia e Kosovës”, thotë Avdiu.
Sipas tij, raste të ngjashme të tejkalimit të autorizimeve nga ana e policisë ka edhe më shumë, por ato kalojnë në heshtje nga vetë të dëmtuarit.
“Rastet nuk paraqiten për arsye të ndryshme… ose nga frika se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, thotë Avdiu.
Çfarë thotë Institucioni i Avokatit të Popullit?
Në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se nuk ka ndonjë ankesë lidhur me rastin në fjalë.
“Megjithatë, në parim, nga perspektiva e të drejtave dhe lirive të njeriut, ushtrimi i dhunës nga zyrtarët policorë ndaj një personi të prangosur dhe brenda ambienteve të destinuara për mbajtjen e personave të arrestuar, përbën shkelje të garancive ligjore”, thuhet në deklaratë.
“Për më tepër, bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat janë thelbësore në frymën e sistemit juridik në Republikën e Kosovës”, thekson, po ashtu, Avokati i Popullit.
Sipas Komisionarit për të Drejta të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, “të gjitha veprimet e policisë duhet t’i respektojnë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë, mosdiskriminimit, proporcionalitetit dhe humanizmit”.
Pozita e romëve në Kosovë
Bazuar në regjistrimin e vitit 2011 të popullsisë, romët përbëjnë rreth 0.5 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve në Kosovë.
Në një raport të publikuar në vitin 2022, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, ka shprehur shqetësim për gjendjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Sipas raportit, diskriminimi ndaj tyre “mbetet problem”.
Shtatorin e kaluar, Qeveria e Kosovës prezantoi Strategjinë për Përmirësimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali për periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2026, si dhe Planin e Veprimit deri në vitin 2024.
Strategjia parasheh zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe varfërisë në mesin e pjesëtarëve të komunitetit rom dhe ashkali, rritjen e numrit të personave të arsimuar, eliminimin e diskriminimit dhe ndarjes etnike, si dhe qasjen në kujdes shëndetësor.
Për zbatimin e saj, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 20 milionë euro, ndërsa rreth dy milionë janë në dispozicion nga donatorët.
(Bekim Bislimi, REL)