Protestë kundër vizitës së Vuçiqit në Tiranë

Tiranë, 20 dhjetor 2021 – Në Tiranë ka nisur protesta kundër vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Tiranë, e cila realizohet në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Protesta është ftuar nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe fraksioni brenda PD-së që e kundërshtojnë nismën “Ballkani i Hapur”, duke e vlerësuar atë të dëmshme për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Vuçiq ka arritur të hënën në Tiranë. Të martën, bashkë  me  kryemimnistrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe me kryeministrin eMaqedonisë së Veriut mbi projektet e disa marrëveshjeve që burojnë nga nisma “Ballkani i Hapur”.

Protestuesit e mbledhur para ndërtesës së Kryeministrisë së Shqipërisë. përveç parullave kundër Vuçiqit, kanë bartur parulla edhe kundër kryeministrit Edi Rama dhe kundër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ata kanë bfrohoritur “Rama, ik!”, “Basha, ik!”, etj.

Në këtë protestë, përveç mbështetësve të Berishës, po marrin pjesë edhe shtetas dhe politikanë kosovarë që janë kundër kësaj nisme.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nga podiumi i ngritur para kryeministrisë, tha se “Ballkani i Hapur” është projekt anti-evropian.

“Ne kurrë nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit. Ky është një projekt anti-evropian”, tha Nishani.

Ai tha se kjo protestë është edhe “kundër tradhtisë dhe hajnisë” dhe theksoi se Qeveria “Rama” është shoqëruar me korrupsion dhe skandale.

“Afera e fundit me inceneratorët është një pjesë shumë e vogël e hajdutërisë dhe e masakrës së kësaj qeverie”, tha Nishani.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha se nisma “Open Balkan” është një fasadë që i shërben Vuçiçit dhe është kundër kombit shqiptar.

“Kryeministri Rama është dyshues për Kosovën dhe besimplotë për Serbinë. E gjitha vjen nga pazaret për pushtet”, theksoi Bumçi.

Ish-deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Melihate Termkolli, tha se projekti “Ballkani i Hapur” është sinonim për “Jugosllavinë e re”.

“’Ballkani i Hapur’ do të thotë ‘Jugosllavi e re’. Kjo është përpjekja e fundit e Vuçiqit që të realizojnë planet e tij. Por, kjo nuk do të ndodhë. Pengesë për këtë është kalaja Kosovë”, tha Termkolli.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se projekti “Ballkani i Hapur” synon të kthejë hegjemoninë serbe në Ballkan.

“Ngrihemi në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, jemi mbledhur të protestojmë kundër projektit fantazmë të aleancës Beograd-Tiranë-Shkup. Dua të garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.

Rreth 1 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Por, protestuesit u shpërndanë të qetë, rreth orës 18.

Sipas raportimeve të medieve të Tiranës, gjatë protestës ka ndodhur vetëm një incident. Një protestues ia ka vënë flakën njërit prej flamujve të Serbisë, të cilët janë vendosur në shtyllat e ndriçimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në shenjë mikpritjeje për Vuçiqin.

(r.m.)