Beograd, 25 maj 2022 – Aktivistët e Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) me orientim të djathtë, më 25 maj, organizuan një protestë në Beograd, para hapjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan”, ku promovohen kultura shqiptare dhe kultura serbe.
Para ambienteve të Engio Hub, ku në orën 18:00 hapet ekspozita “Të gjithë lotët tanë”, në kuadër të festivalit, aktivistët kanë varur fotografi denigruese me mbishkrimin “Kultura e Kosovës”, bashkë me fotot e shqiptarëve të akuzuar për krime lufte.
DSS-ja dhe disa parti më të vogla në koalicion me këtë parti, më 24 maj, kërkuan që festivali të ndalohej.
Lideri i DSS-së, Milosh Jovanoviq, vlerësoi se me këtë festival promovohet pavarësia e Kosovës, e cila, siç tha ai, cënon rendin kushtetues të Serbisë.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita – Dobar dan”, i cili do të zgjasë deri më 28 maj, është që me takimet e komuniteteve sociale dhe kulturore serbe dhe kosovare, të iniciojë ndryshimet dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi që do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Megjithatë, vitet e kaluara, ky festival në Beograd është shoqëruar me incidente, të cilat i shkaktuan grupet e djathta.
“Ekziston një hendek i madh ndërmjet shoqërisë serbe dhe asaj kosovare. Festivali ‘Mirëdita -Dobar dan’ po mundohet ta zvogëlojë atë hendek, derisa ai të zhduket. Ndërsa elitat politike po punojnë për ta thelluar atë”, tha Fiona Jeliqi, koordinatore e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), për Radion Evropa e Lirë, më 23 maj, përpara festivalit “Mirëdita – Dobar dan”.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Zyrtarët në Serbi vazhdojnë ta mohojnë Kosovën si shtet.
(REL)