Tiranë, 11 prill 2021 – Disa dhjetra banorë të fshatit Thirr në Miriditë protestuan sot duke kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali dhe një fabrikë uji në territorin e tyre. Ata u shprehën se shfrytëzimi i ujit të fshatit dëmton ekonomitë e tyre bujqësore dhe mjedisin dhe se, prej dy vitesh, po vazhdojnë të protestojnë, por asnjë nga insitucionet e shtetit nuk ka reaguar deri tani. Protesta e banorëve të fshatit Thirr u mbështet edhe nga veprimtarë të disa shoqatave mjedisore.
Protestuesit e vazhduan protestën e sotme duke dalë në Rrugën e Kombit, në afërsi të tunelit të Kalimashit. Ata bllokuan rrugën për disa minuta duke u përplasuar me forcat e policisë, që ndërhynë për zhbllokimin e lëvizjes së automjeteve dhe udhëtarëve. Policia shoqëroi 33 nga pjesëmarrësit në protestë, mes tyre aktivistë, qytetarë, banorë të zonës si dhe një reporter vendor që po pasqyronte protestën.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Lezhës bëri te ditur se ndaj 33 protestuesve ka filluar një procedim penal në gjendje të lirë për “organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Ndaj shoqërimit dhe mbajtjes në polici për rreth tre orë të reporterit vendor të TV FAXNEWS në Lezhë, Preng Gjikola, reagoi Unioni i Gazetarëve të Lezhës, i cili e cilësoi veprimin e policisë si pengim të punës së gazetarëve në shërbim të informimit të publikut.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)