Ulqin, 5 prill 2025 – Qytetarët e Ulqinit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare e kundërshtojnë vendimin e qeverisë së Malt të Zi që Plazhi i Madh t’u jepet me qirai nvestitorëve arabë.
Të shtunë, më 5 prill, të kremtimit të Ditës së Ulqinit, në këtë qytet u mbajt një protestë masive kundër dy marrëveshjeve që kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq i ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Protestuesit mbanin në duar dhjetëra banderola ku shkruhej: “Ulqini nuk është në shitje”, “Larg duart nga Plazhi i Madh”, “Jemi për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm, por duhet të pyetemi për fatin tonë dhe të fëmijëve tanë”.
Përfaqësuesit e subjekteve politike që marrin pjesë në parlamentin lokal, deputetë dhe liderë partiakë, si kurrë ndonjëherë gjatë këtyre tri dekadave të pluralizmit në Mal të Zi, folën me një gjuhë “Ulqini nuk është në shitje”.
Përfaqësues të shoqërisë civile përsëritën se janë në krah të qytetarëve të Ulqinit kundër marrëveshjeve që pezullojnë ligjet e Malit të Zi të cilat hapin rrugë për “pastrim parash”.
Kryeministri Spajiq e cilëson marrëveshtjen si një “shans që nuk duhet humbur” për Malin e Zi dhe për Ulqinin
Sipas tij bëhet fjalë për investim mbi 30 miliardë eurosh të biznismenit arab Muhamed Alabar në projektin e Plazhit të Madh. Projekti përfshin ndërtimin e objekteve turistike, një aeroporti, një spitali të përmasave të mëdha, dy marina, dy universitete dhe objekte të tjera.
Kryeministri Spajiq tashmë i ka filluar konsultimet me partitë parlamentare për miratimin e marrëveshjes. Deri tani partia e kryeministrit “Evropa tani” dhe ajo Boshnjake i kanë thënë “po” miratimit të kësaj marrëveshjeje.
Në fakt, Spajiq i ka votat e nevojshme për miratimin e këtij dokumenti në parlament, por kanë mbetur edhe disa ditë të shihet se si do të pozicionohen subjektet e tjera në qeveri.
Koalicionet e subjekteve politike shqiptare kanë thënë se nuk do të votojnë pro marrëveshtjes, duke e cilësuar atë të dëmshme për qytetin e Ulqinit dhe për banorët e tij.
Protestuesit dhe liderët e protestës janë të vetëdijshëm se çdo gjë është e mundur. Ata thanë se “beteja” sapo ka filluar dhe se ulqinakët duhet të jenë “të përgatitur për surpriza, por dhe për kundërshtime dhe për hapa të tjerë për të penguar synimet e kryeministrit të Malit të Zi.
(Sipas Deutsche Welle)