Tiranë, 27 dhjetor 2022 – Para Ambasadës së Serbisë në Tiranë të martën u mbajt një protestë kundër veprimeve destabilizuese të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.
Protestuesit, shumica prej të cilëve ishin të veshur me veshje kombëtare të trevave të ndryshme shqiptare, bartnin flamuj të Shqipërisë, të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ata mbanin pankarta në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si: “Jetën e japim, Mitrovicën s’e japim”, “të gjitha trojet shqiptare janë me ty, Kosovë”, “Trepça dhe Ujmani janë pasuri e Kosovës”, e të tjera.
Protesta nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar dhe vazhdoi me sllogane në mbështetje të Kosovës dhe kundër akteve destabilizuese dhe luftënxitëse të Beogradit zyrtar që nxit dhe mbështet grupet kriminale serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Organizatorët e protestës kërkuan nga Qeveria e Shqipërisë që marrëdhëniet me Serbinë t’i kushtëzojë me qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës dhe të pezullojë të gjitha marrëveshjet me këtë vend derisa Serbia të pranojë realitetin dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në deklaratën që u lexua para protestuesve, organizatorët kërkuan nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Ndërkaq faktorit ndërkombëtar i bënë thirrje të mos tërhiqen para agresionit serbo-rus në Kosovë.
“Komuniteti ndërkombëtar të mos tërhiqet përballë agresionit serbo-rus”, tha një prej organizatorëve të protestës.
Protesta, e cila u vëzhgua nga forca të shtuara të rendit para ambasadës, u mbyll qetësisht dhe pa asnjë incident.
Protesta para ambasadës së Serbisë në Tiranë u mbajt në ditën e 18-të të bllokimit të rrugëve rajonale në pjesën veriore të Kosovës nga grupe kriminale serbe që kanë mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Gjatë natës midis të hënës dhe të martës në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan janë vendosur edhe dy barrikada të reja, të cilat e pengojnë qarkullimin edhe në rrugët kryesore brenda vendbanimeve.
Rrugët drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjakë, janë bllokuar prej 10 dhjetorit. Barrikadat në këto rrugë u vendosën në shenjë proteste ndaj arrestimit të një serbi që ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili dyshohet për sulmin ndaj zyrëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore dhe në Zubin Potok.
Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Beogradin për nxitjen dhe mbështetjen e “bandave kriminale” serbe për vendosjen e barrikadave. Ndërkaq, autoritetet e Serbisë, ndonëse mohojnë se kanë ndikim në vendosjen e barrikadave, e kushtëzojnë heqjen e tyre me plotësimin e kërkesave të serbëve të Kosovës.
Kërkesë kryesore është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Qeveria e Kosovës e përjashton mundësinë e formimit të çfarëdo asociacioni që cenon karakterin unitar të shtetit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se disa dispozita të marrëveshjes për formimin e Asociacionit janë kundërkushtetuese.
(r.m.)