Nga Aristir Lumezi
Parlamenti shqiptar votoi dje me konsensus tre ligjet që mbeteshin për të plotësuar 12 rekomandimet e Brukselit për statusin e vendit kandidat. Por vonesa në votimin e këtyre ligjeve, e ka penalizuar tashmë Shqipërinë nga marrja e statusit të vendit kandidat, ndërsa mundësia që kjo të arrihet është muaji dhjetor i këtij viti. Pas disa vizitave të njëpasnjëshme të komisionarit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle dhe apeleve të shumta të funksionarëve të lartë të Komisionit Europian, politika shqiptare nga të dy krahët injoruan miratimin e tre ligjeve duke qëndruar në pozicionet e tyre militante.
Dje në pak minuta 100 deputetë të pozitës dhe opozitës në parlament votuan tre ligjet, ndërsa nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat për vonesën në votimin e tyre. Deputetët votuan ligjin për Gjykatën e Lartë, reformën parlamentare dhe nëpunësin civil. Qëndrimi i refuzues i opozitës ndaj këtyre tre ligjeve
është justifikuar me politizimin që po i bëhet sistemit gjyqësor shqiptar. Po ashtu në lidhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil, opozita akuzonte se ky ligj do të mbushte administratën shtetërore me militantë të PD-së. Ndërsa sa i takon reformës parlamentare, opozita nuk binte dakort me draftin e paraqitur nga maxhoranca, sipas të cilit kryetari i opozitës nuk ka kohë të barabartë me kryeministrin në parlament. E vetmja gjë që ndryshoi në draftet e paraqitura, ishte vetëm hyrja në fuqi e tyre në 1 tetor, pas fillimit nga puna të parlamentit të ri.
Kryeministri Berisha akuzoi opozitës se gjatë këtyre muajve ka përdorur alibinë e çështjes së qarkut Fier si arsye për të mos votuar tre ligjet. Çështja e Fierit ende nuk është zgjidhur, ndërsa opozita e dha votën e saj për tre ligjet. “Ku e keni Fierin tani? Më thoni pak ku është Fieri? Ju them unë juve. Ky votim ju përvlon por ju do ta bëni sot sepse ju besoni se mund të lani sytë me ujin e pellgut që krijuat vetë”, tha kryeministri Berisha. Kreu i LSI-së, Ilir Meta i cili propozoi hedhjen për votim të tre ligjeve, por me kusht që ata të hyjnë në fuqi në tetor me parlamentin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, e cilësoi pozitiv miratimin e tyre. “Kuvendi shënoi sot një akt të rëndësishëm duke miratuar tre ligjet, që ishte kushti më minimal për marrjen e statusit, duke treguar një akt të përgjegjshëm ndaj të ardhmes europiane dhe partnerëve ndërkombëtarë. Të tregohet më shpesh fryma e bashkëpunimit politik në interes të qytetarit”, tha Meta.
Votimi i ligjeve u përshëndet dhe nga komisioneri për zgjerim, Stefan Fyle i cili nëpërmjet një mesazhi të shkurtër në faqen e tij në rrjetin social “Twitter”, shkruan se rëndësi ka tashmë për Shqipërinë, ruajtja e konsensusit ndërpartiak, me qëllim që të çohet përpara procesi i integrimit. “Mirëpres miratimin e 3 ligjeve në Parlament. Rëndësi ka tani ruajtja e konsensusit ndërpartiak me qëllim që vendi të ecë në rrugën drejt Bashkimit Europian”, shkruan Fyle. Edhe ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui përshëndeti kompromisin e arritur. “Unë ashtu siç e kam thënë më parë, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ecë përpara në plotësimin e detyrimeve dhe kjo ishte prova”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui pas seancës së parlamentit shqiptar.