PS e shpërfill paralajmërimin e BE-së, miraton Ligjin për Zonat e Mbrojtura

Tiranë, 22 shkurt 2024 – Mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e miratoi të enjten vetëm me votat e saj projektligjin që i hap rrugë ndërtimeve brenda Zonave të Mbrojtura, pavarësisht kundërshtimit të organizatave mjedisore dhe delegacionit të Bashkimit Europian.

Në hyrje të parlamentit, dhjetra aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan të enjten paradite me banderolën “Mos voto ligjin masakrues të zonave të mbrojtura”. E megjithatë, 74 deputetë të mazhorancës ngritën kartonat jeshilë në një seancë të shkurtër për projektligjin e Zonave të Mbrojtura, duke bërë një vesh shurdh ndaj paralajmërimeve të organizatave mjedisore dhe Bashkimit Europian.

Ndryshimet e reja rrezikojnë sipas aktivistëve mjedisorë dëmtimin pa kthim të natyrës së mbrojtur, duke lejuar ndërtime të rënda brenda tyre për arsye ekonomike dhe turistike. Në seancë u votua varianti i sjellë nga qeveria në momentin e fundit pa konsultim publik, dhe pse delegacioni i BE i kërkoi Kuvendit ta tërhiqte, pasi dispozitat binin ndesh me legjislacionit europian për mjedisin.

Socialistët nuk morën parasysh as memon e zyrës së përafrimit të legjislacionit në Kuvend, sipas të cilit ligji është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe konventave të tjera ndërkombëtare, ku është pjesë Shqipëria.

Delegacioni i BE-së në Tiranë deklaroi pas votimit të ligjit se “do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, në përputhje me kuadrin ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”.

Në një reagim në platformën X, delegacioni theksoi se, “në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi temat e mbuluara nga acquis e BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.

Por, kryeministri Edi Rama u përgjigj në mënyrë arrogante se ishte “100% në një mendje me Bashkimin Europian”, ndërsa foli për suksese imagjinare me zonat e mbrojtura.

“Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë,” shkruajti Rama në X.

Ministria e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e mbrojti gjithashtu ligjin që lejon ndërtimin e hoteleve me 5 yje dhe infrastrukturën e tyre brenda zonave të mbrojtura duke thënë se këto do të bëhen me “filtra strikte”.

“Ti japim përgjigje sfidës së rritjes ekonomike, po pa cënuar biodivesitetin,” tha Kumbaro pas seancës.

Opozita e kundërshtoi këtë ligj si klientelist dhe si hap përfundimtar në shkatërrimin e natyrës së mbrojtur me ligj deri më sot.

“Ka kohë që parlamenti është shndërruar në një organ që nuk miraton më ligje në shërbim të qytetarëve, por në dobi të një grushti njerëzish,” tha Gazment Bardhi, kryetari i grupit demokrat në Kuvend.

Ndërsa deputetja Ina Zhupa tha se ishte miratuar “një ligj klientelist i bërë për oligarkë pranë Ramës. Ligji heq mbrojtjen e këtyre zonave dhe i bën sheshe ndërtimi”.

Sipas saj, grupi i PD do të bëjë çdo përpjekje për ta ndalur që nga Presidenti e deri tek Kushtetuesja.

Ndryshimet ligjore të qeverisë lejojnë brenda Zonave të Mbrojtura “struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur”.

Me ndryshimet e reja do të jetë Këshilli Kombëtar i Territorit organi që do të vendosë rregullat dhe kriteret për zhvillimin e këtyre zonave, një organ shtetëror që nuk përfshin konsultimin publik në vendimarrjen e vet.

(Reporter.al)