PS voton me urgjencë projekt-ligjin e qeverisë për ndërtime në zonat e mbrojtura

Tiranë, 20 shkurt 2024 – Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese e Mjedisin miratoi vetëm me votat e shumicës në një mbledhje online variantin final të projektligjit që u prezantua fillimisht si nismë nga disa deputetë socialistë, sipas draftit të qeverisë, të cilat i hapin rrugën zhvillimit turistik dhe ekonomik të Zonave të Mbrojtura.

Shumica miratoi me urgjencë propozimin në disa komisione parlamentare të hënën duke e kaluar për votim në seancë plenare të enjten pa marrë parasysh kundërshtimet e organizatave mjedisore dhe Bashkimit Europian.

Komisioni përgjegjës refuzoi kërkesën e ambasadorit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato për të rihapur konsultimet me shoqërinë civile dhe palët e interesuara për këtë nismë mbi propozimet e ardhura nga qeveria

Gjatë votimit nen për nen, ky komision përfshiu në projektligjin fillestar të deputetëve pothuajse të gjitha propozimet e ardhura nga qeveria duke i dhënë Këshillit Kombëtar të Territorit autoritetin vendimtar për veprimtaritë që do të zhvillohen brenda këtyre zonave dhe lejimin zhvillimit turistik dhe infrastrukturor në to.

Komisioni miratoi pa ndryshim nenin 33 të propozuar nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sipas të cilit lejohen; “veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur”.

Në propozimet e qeverisë ishte dhe një variant tjetër i këtij neni që vinte si propozim i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për lejimin e investimeve strategjike dhe çdo projekti strategjik që vendoste qeveria.

Me ndryshimet e reja do të ngrihet një strukturë paralele me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për administrimin Parqeve Kombëtare.

Para se të miratohej në komisionin e Mjedisit, projektligji u miratua me rezerva në komisionin e Ligjeve dhe atë të Integrimit.

Deputeti Pandeli Majko kundërshtoi për procedurë nismën e deputetëve duke e quajtur këtë një çështje politikash që i takonte qeverisë.  Madje, ai aludoi se deputetët kishin marrë përsipër të bënin “detyrën” e strukturave ekzekutive.

“Të jemi shumë të kujdesshëm, pasi ndërhyrjet që janë bërë në këtë ligj, të jem i sinqertë duket sikur jemi në rolin e Ponc Pilatit, po bëjmë punën e dikujt që nuk donte të dilte të thoshte ky është propozimi”- tha ai gjatë diskutimit.

Ndërkohë në komisionin për Çështjet Evropiane u shqyrtua shkelja që ky projektligj i bën direktivave të BE-së për përafrimin e legjislacionit, marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe deklaratës së të drejtave të njeriut të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm.

Drejtuesja e mbledhjes, nënkryetarja Etilda Gjoncaj, tha se sugjerimet e ardhura nga zyra e Kuvendit për përafrimin e legjislacionit për nene të veçanta të projekligjit do t’i paraqiten komisionit përgjegjës.

“Të mbahen në konsideratë për përputhje me nenin 108 MSA, pikën 37 të kartës së të drejtave të njeriut dhe direktivën për mbrojtjen e habitatit dhe të natyrës”- tha ajo duke kërkuar të riformuloheshin nenet në përshtatje me detyrimet e mësipërme.

Ndërsa kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në një konferencë për mediat akuzoi mazhorancën se po bën një krim ekologjik duke i hapur rrugë betonizimit të këtyre zonave.

“Një lëvizje e tillë jo vetëm kundërshton angazhimin tonë ndërkombëtar dhe thyen direktivat e Bashkimit Europian, konventat e nënshkruara nga qeveritë shqiptare ndër vite, por i hap rrugën dhe një zhvillimi që është më shumë i dëmshëm se sa i dobishëm në ato zona”- tha ajo.

Arben Pëllumbi, kryetar i komisionit për Mjedisin, i tha BIRN-it pas mbledhjes, se ishin marrë parasysh këto sugjerime. “Ligji nuk synon asnjë përafrim dhe nuk shkel asnjë direktivë”- tha ai, ndërsa shtoi se gjithashtu ishin marrë parasysh dhe kërkesat e shoqërisë civile.

Ndërkohë komisioni i Ligjeve dhe ai për Integrimin refuzuan kërkesat për dëgjesa nga shoqëria civile duke e konsideruar këtë si çështje të komisionit të Mjedisit.

Propozimet fillestare për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura u bënë nga një grup deputetësh socialistë me argumentin se po i përgjigjeshin një shqetësimi të kryetarëve të bashkive që kërkonin më shumë kompetenca mbi territoret e ZM-ve.

Por drafti i tyre u hodh poshtë nga vetë nismëtarët në shumicën e propozimeve, pasi Këshilli i Ministrave i dërgoi Kuvendit një propozim të ri me emërtimin “dhënie mendimi” duke përdorur një truk procedurial për të shmangur konsultimin publik.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kërkuan të premten parlamentit dhe qeverisë që të tërhiqen nga propozimet e paraqitura dhe të hapin procesin për këshillim mjedisor me organizatat, institucionet shkencore dhe partnerët ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së natyrës.

Ata këmbëngulën se të gjithë ndryshimet e propozuara janë të rrezikshme për të ardhmen e ZM-ve, shkojnë në kundërshtim me frymën e ligjit aktual, me normat dhe praktikat evropiane dhe me çdo detyrim ligjor të këshillimit publik.

Ndryshimet, sipas organizatave, vulosin fundin e sistemit të mbrojtjes për këto zona dhe biodiversitetit në Shqipëri.

(Reporter.al)