Pse dështoi takimi i Presidentit Begaj me Kryetarin e LDK-së?

Prishtinë, 16 gusht 2022 – Ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Takimet u realizuan në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Në agjendën e vizitës së Presidentit Begaj ishte edhe takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, por ky takim nuk u realizua, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me vendin e takimit.

Presidenti Begaj e konfirmoi edhe personalisht se takimi me udhëheqjen e LDK-së nuk u realizua për shkak të mosmarrëveshjeve për vendtakimin.

“Këtë kisha qëllim (takimin me udhëheqjen e LDK), por fatkeqësisht nuk arrita. LDK, në përgjigjen e saj, ka thënë se do të isha i mirëpritur në zyrat e tyre”, tha Begaj në një intervistë në Televizionin Publik të Kosovës.

“Doja të bisedonin bashkë, si vëllai më vëllanë, dhe ftesa ime ishte e sinqertë për të gjithë, dhe doja që çdo takim dhe diskutim të bëhej në nivelin që i takon presidentit të republikës”, tha Begaj.

“Unë erdha me ftesë të Presidentes së Kosovës dhe doja që takimet të bëheshin në nivelin që i takon Presidentit. Personalisht doja që takimet me partitë politike shqiptare të bëheshin bashkë e jo të ndara, por nuk ia arrita dot, ishte mision i pamundur. I takova veç e veç”, tha Begaj.

LDK ka shprehur habinë që Presidenti Begaj nuk ka pranuar të shkojë në zyrat e partisë, siç kanë bërë udhëheqësit shtetërorë dhe liderët politikë të Shqipërisë deri më tash.

“Për dallim nga presidentët e shkuar, kryeministrat e shkuar e kryeministri i tanishëm, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë udhëheqjen e LDK-së në selinë e partisë. Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim habinë për këtë qasje të pazakontë, e konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj, të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në një shpjegim të LDK-së.

“LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar, siç ka qenë përherë”, thekson LDK.

Dështimi i këtij takimi nxiti reagime të ndryshme në Kosovë. Dominoi opinioni se situatat si kjo janë të papranueshme, cilatdo qofshin arsyet.

(r.m.)