Teheran, 3 shtator 2024 – Çfarë kanë të përbashkët një punonjëse humanitar, një aktiviste për të drejtat e punëtorëve, një aktiviste politik dhe një protestuese?
Që të gjitha janë gra të cilat Irani i ka akuzuar muajt e fundit për kryengritje të armatosur kundër shtetit. Ndëshkimi për një akuzë të tillë është dënim me vdekje.
Dy prej atyre grave, aktivistet Pakhshan Azizi dhe Sharifeh Mohammadi, janë dënuar tashmë me vdekje. Aktivistja politike Varisheh Moradi, dhe protestuesja Nasim Gholami Simiyari janë në pritje të shqiptimit të dënimeve.
Përveç Simiyarit, të tri gratë janë akuzuar se janë anëtare të grupeve opozitare kurde jashtë Iranit.
Azizi dhe Moradi janë pjesëtare të pakicës kurde të Iranit, e cila është shtypur për kohë të gjatë.
Ka pasur një rritje të numrit të grave të dënuara me vdekje dhe të ekzekutuara prej se shpërthyen protestat antiqeveritare në vitin 2022, pas vdekjes së Mahsa Aminit, një gruaje kurdo-iraniane, në qendrën e ndalimit policor.
Frika nga ekzekutimi
Mohammadi, aktiviste e punës, u dënua me vdekje në korrik. Ajo u akuzua se ishte anëtare e një sindikate të pavarur të punës dhe një grupi të ndaluar separatist kurd me bazë në rajonin gjysmautonom kurd të Irakut.
Familja e saj ka thënë se ajo nuk ishte e lidhur me ndonjë organizatë politike brenda apo jashtë vendit.
Kushërira e Mohammadit, Vida Mohammadi, i tha Radios Evropa e Lirë se ajo ishte torturuar në burg pas arrestimit të saj në dhjetor dhe se kishte kaluar disa muaj në izolim.
Moradi, aktivistja politike kurde, u arrestua në gusht 2023.
Ajo u akuzua si ishte anëtare e Partisë së Jetës së Lirë të Kurdistanit (PJAK), degës iraniane të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të Turqisë dhe e një grupi të shpallur terrorist nga SHBA-ja.
Azizi, po ashtu, u arrestua në gusht të vitit 2023 dhe u akuzua se është anëtare e PJAK-ut, gjë të cilën ajo e ka mohuar. Ajo u dënua me vdekje në korrik.
Ajo kaloi kohë në Kurdistanin irakian si dhe në Sirinë verilindore, të cilat kanë pakicë kurde, për t’i ndihmuar njerëzit e zhvendosur nga lufta civile dhe lufta kundër grupit ekstremist të Shtetit Islamik.
Në një letër të shkruar nga burgu para dënimit të saj, Azizi tha se puna në kampet e refugjatëve në Siri “mund të ketë qenë një nga kontributet më të mëdha morale për një shoqëri që është shtypur për vite me radhë”.
Ajo mohoi gjithashtu se ishte anëtare e grupeve opozitare, duke thënë “pra, kushdo që kalon kohë [në rajonin me shumicë kurde të Sirisë] është anëtar i PKK-së?”
Simiyari, protestuesja, u akuzua për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare më 2022. Ajo u arrestua në maj 2023.
Ajo ka thënë se është torturuar në burg dhe është mbajtur në izolim për periudha të gjata.
“Mbyllja e gojës së kundërshtarëve”
Grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar ato që ata i kanë quajtur akuza të sajuara kundër katër grave.
Aktivistët iranianë thonë se akuza për rebelim të armatosur kundër shtetit përdoret shpesh nga autoritetet kundër të burgosurve politikë dhe disidentëve.
“Përballë një lëvizjeje të grave në Iran që refuzon të tërhiqet, autoritetet e Republikës Islamike tani po përpiqen t’i kërcënojnë këto gra me varje, në një përpjekje të dëshpëruar për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve,” tha Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran me bazë në Nju Jork (CHRI).
Grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar vazhdimisht Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje për të futur frikë në shoqëri pas protestave të vitit 2022.
Saeid Dehghan, një avokat i shquar iranian për të drejtat e njeriut, tha se katër gratë janë akuzuar për rebelim të armatosur, edhe pse “ato nuk posedonin asnjë armë, dhe asnjë armë nuk është sekuestruar apo regjistruar në rastin e tyre”.
“Aktivitetet e këtyre qytetareve ishin të natyrës civile dhe nuk kishin asnjë lidhje me një rebelim kundër ‘Republikës Islamike'”, tha ai.
Aktivistët kanë frikë se këto katër gra mund të jenë viktimat e ardhshme të rritjes së ekzekutimeve në Iran.
Të paktën 345 persona janë ekzekutuar deri më tani këtë vit, sipas grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran me bazë në Norvegji.
CHRI tha se fakti që dy nga gratë janë kurde pasqyronte “përdorimin e vazhdueshëm disproporcional të dënimit me vdekje nga republika islame kundër pakicave të vendit”.
Rajoni Kurdistan i Iranit ishte skena e disa prej goditjeve më të dhunshme gjatë protestave të vitit 2022.
Në vitet e fundit, Teherani e ka rritur intensitetin në përpjekjet e tij për t’i shtypur grupet opozitare iraniano-kurde në mërgim, të cilat i konsideron si organizata terroriste.