PSE (NUK) U FTUA KOSOVA NË SAMITIN E DEMOKRACIVE TË PRESIDENTIT BIDEN

-Demokracia e vërtetë amerikane dhe padrejtësitë “demokratike”evropiane

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

FTESA E AMERIKËS PËR SAMITIN E DEMOKRACISË

          Fajsimi i qeverisjes Osmani-Kurti për mosmarrjen e ftesës për “Takimin e lartë të Demokracive” që organizohet nga presidenti Biden në fillim të Dhjetorit, nga një pjesë e opozitës jokonstruktive dhe disa analistëve të paaftë dhe të shitur, është pa kurrëfarë baze. Zgjedhjet nacionale dhe ato lokale ishin të nivelit më të lartë, më të mirat në Ballkan dhe mund të krahasohen me zgjedhjet e vendeve demokratike evropjane. Luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi i demokracisë në Kosovë janë në rrugë të drejtë. Ato nuk bëhen për 8 muaj qeverisje, këtë duhet ta dijë çdokush.

         Qëndrimi i ish-ambasadorit jodiplomatik proserb Grenell dhe tjerëve se projekti i gazit ka ndikuar në këtë vendim të Presidentit Biden është paragjykues. Projekti i gazit është vendim ekonomik, jo politik. Njësoj është edhe renditja e dialogut me kriminelët serb aty ku e meriton, në vendin e katërt nga ana e Kryeministrit Kurti. Asnjëra nuk kanë gjë të përbashkët me zhvillimin e demokracisë.

         Më shumë mundësi kjo ka të bëjë me sjelljet destabilizuese, të shtetit fashist serb, krijimin dhe mbajtjen e hapur të konfliktit me Bosnjën dhe Kosovën. Pra, si gjithmonë, Kosova ia ka parë sherrin Serbisë. Me korrupsionin e lartë, nivelin e ulët të zhvillimit demokratik dhe sjelljen konfliktuale, Serbia dhe Bosnja nuk e meritojnë të jenë pjesë e “Samitit për demokraci”.

Edhe pse Kosova e meriton ftesën, Komisioni i Administratës Biden për klasifikim dhe dërgim të thirrjeve nuk ka mundur të sjell vendim për ta lënë jashtë vetëm Serbinë dhe Bosnjën për të mos e irrituar Evropën dhe dëshirën e saj për ta tërhequr Serbinë nga Rusia dhe Kina me përkdhelje të pafund në dëm të Kosovës.

         Në të vërtetë, ky është edhe problemi kryesor për dështimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga emisarët evropian. Serbia si ish-Jugosllavia me kriminelin Vuçiq në krye si ish-diktatori Tito, me mashtrime dhe veprime nga më të ndryshimet, mundohet të luan rol të dyfishtë, bashkëpunim vëllazëror me Rusinë dhe mjelje të Evropës. Është e çuditshme sa e hanë “me vullnet” këtë mashtrim shumica e përfaqësuesve evropian.

         Nuk ka dyshim se Presidenti Biden e di mirë problemin e Kosovës me Serbinë dhe ka qëndrim të drejtë në trajtimin e çështjes së saj. Por ai është shumë i zënë me punë tjera më të mëdha dhe më të rëndësishme për popullin dhe shtetin amerikan. Lidhjet e dyshimta të Sekretarit të Shtetit Blinken me Sorosin dhe ndikimi i kuadrove të mbetura nga administrata e mëparshme e bëjnë politikën e Administratës Biden në Ballkan ende të paqartë dhe të pasigurtë, gjë që mund të ketë ndikuar në vendimin për mosftuarjen e Kosovës në samit.

         Por demokracia e vërtetë dhe drejtësia amerikane funksionojnë në mënyrë të pashembullt. Lobizmi është pjesë legale e kësaj demokracie. Menjëherë, sapo u publikua lajmi për mosmarrjen e ftesës, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane më në krye me ish Kongresmenin Joe DioGuardi dhe Këshilltaren për çështje ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi u vu në veprim. Filluan kontaktet me gojë dhe shkrim me kabinetin e Kryetarit të Komitetit të Senatit për Punët e Jashtme, senatorit Bob Menendez, të cilat vazhduan edhe gjatë vikendit të javës së kaluar.

         Në cilësinë e personit numër një të Senatit amerikan me ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane, Senatori Menendez bashkë me 7 kolegë të tij, ditën e Hënë me 8 Nëntor i dërguan letër presidentit Biden, me të cilën i kërkojnë atij transparencë dhe qartësi në lidhje me kriteret e përdorura për të vendosur se cilat vende duhet të ftohen në samitin për demokraci. Edhe pse Kosova në këtë letër nuk përmendet me emër, nuk ka dyshim se kjo letër ku numrohen çështje shumë të rëndësishme për demokracinë amerikane, është inicuar për shkak të Kosovës dhe në prapavijë është biseduar për te.

         Si rezultat, ditën e Enjte u bë e ditur se Kosova do të ftohet në samit por nuk u la anësh as Serbia për arsyet e përmendura më parë. Kësaj radhe shteti jo civilizues serb  ia pau hajrin  Kosovës dhe Lobit Shqiptaro-Amerikan. Por, mos të gëzohet shumë sepse Joe, Shirley dhe Lobi shqiptar do ia mbyllin rrugët në Amerikë edhe Vuçiqit, njësoj si Milosheviqit.

         Kontributi i të tjerëve në arritjen e këtij suksesi ishte i mirëseardhur por angazhimi i Senatorit Menendez dhe senatorëve tjerë të njohur në këtë çështje shumë të rëndësishme ishte vendimtar. Meritë e veçantë dhe falënderim i posaçëm i takon pikërisht Zonjës Shirley Cloyes DioGuardi për angazhimin e saj maksimal me profesionalizëm dhe përkushtim.

         Është e nevojshme të theksohet se parakusht për të ndodhur gjërat e rëndësishme për Kosovën janë demokracia, respektimi i të drejtave të minoriteteve, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit dhe ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me ekipet e tyre kanë aftësi, mençuri dhe guxim për ta bërë këtë. Ata mund të krahasohen lirisht me liderët më të mirë dhe më të fortë të shteteve demokratike.

         Rëndësi dhe përgjegjësi të veçantë kanë ministrat shumë të aftë të mbrojtjes dhe punëve të brëndëshme, z. Armend Mehaj dhe z. Xhelal Sveçla. Aty ku është Armendi, nipi i Isa Boletinit, nuk shkelë dot këmba e ushtarit serb.

PADREJTËSIA EVROPIANE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR

          UnioniEvropian është i përbërë nga shtete demokratike, më pak demokratike dhe shumë pak demokratike të cilat kanë bërë edhe padrejtësi ndaj kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Shumë prej tyre i konsiderojnë ato gjëra “normale” dhe “demokratike”.Evropa nuk pushon së predikuari diversitet, përfshirje dhe tolerancë ndëretnike. Në të njëjtën kohë nga Republika e Kosovës kërkon shtet multietnik dhe krijimin e bashkësisë së pastër etnike serbe. Këto nuk shkojnë hiç së bashku. Kjo kërkesë nuk siguron barazi por përçarje, është formulë për shkatërrimin e shtetit dhe si e tillë krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme.

         Këto gjëra e tregojnë hipokrizinë dhe padrejtësinë “demokratike”të një pjesë të madhe të shteteve evropiane të cilat nuk dëshirojnë të forcohet shteti i Kosovës. Të helmuar nga propaganda shoviniste serbe, kanë qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare. Kësaj duhet shtuar edhe ndikimin e madh rus dhe interesat ekonomike të shumë shteteve evropiane për gazin e Rusisë.

         Veprimet e drejta, të mençura, të kontolluara dhe të domosdoshme të Qeverisë Kurti në veri të shtetit të Kosovës kishin efekte të shumta pozitive për Republikën e Kosovës. Ato e nxitën Serbinë dhe Rusinë ta tregojnë haptas agresivitetin e tyre, sjelljet e tyre shkatërruese dhe ambicjet hegjemoniste për dominim në Ballkan dhe dalje në detin Adriatik. Përfaqësuesve të Evropës Borrell dhe Lajçak ju ranë maskat të kinse ndërmjetësuesve të paanshëm. Kërkesa e tyre për ndalim të veprimeve shtetërore kundër banditëve të të gjitha nacionaliteteve dhe për dialog me ta, ishin të padrejta, absurde dhe të turpshme.

PËRFUNDIMISHT

          Qëndrimet jokonstruktive të disa shteteve të Evropës, sjelljet nënshtruese të ish qeveritarëve të korruptuar të Kosovës të cilët sëpari e rrjepën pastaj e qitën në shitje token e saj, pallavrat me qëllime anti-shqiptare për “Ballkan të hapur” të shërbëtorit serb Edi Rama dhe angazhimi i pamjaftueshëm i Amerikës, e ndihmojnë Serbinë fashiste të vazhdojë me sjellje destruktive dhe destabilizim të Evropës Juglindore. Këto e bëjnë të pamundur njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Bisedimet duhet të vazhdohen por ato janë të kota si dhe deri më tash.

         Ky problem mund të zgjidhet vetëm me angazhimin e plotë dhe të  drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dëshiroj ta përsëris se:

          “Ka ardhur koha që Presidenti Biden, për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit amerikan në Kosovë, njësoj si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bind Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Unionin Evropian. Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë.”

         LIRIA. INTEGRITETI TERRITORIAL DHE SOVRANITETI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET NGA ASKUSH DHE ME ASKEND. POPULLI I LAVDISHËM I DARDANISË E KA PAGUAR ATË ME GJAK DHE SAKRIFICË TË PAFUND.